KPK e shkarkoi, prokuroria merr vendimin për ish-gjyqtarin Balliu

Prokuroria e Tiranës ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për ish-gjyqtarin e Apelit Durrës Arjan Balliu, i cili u kallëzua nga avokati Fran Dashi. Balliu është shkarkuar nga detyra nga KPK dhe pret vendimin nga KPA.

Prokuroria ka konstatuar se: Faktet e kallëzuara nga Dashi nuk përbëjnë vepër penale. Vendimi është marrë nga prokurorja Marjola Mërtiri. Fran Dashi kallëzoi një numër të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh të shkarkuar nga vettingu, një pjesë e të cilëve po verifikohen nga SPAK.

Arjan Balliu e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 2000. Më pas, zoti Balliu ka punuar si drejtor i Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave. Nga viti 2004 Balliu ka ushtruar profesionin e avokatit, ndërsa në vitin 2009 është emëruar inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është rikthyer në sistemin gjyqësor në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Durrësit.

Procesi i rivlerësimit të gjyqtarit Balliut, u shënua nga një raport negativ i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, i cili u gjet i bazuar në pjesën më të madhe edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Gjyqtarit iu vu në dukje se ILDKPKI e kishte gjetur atë në dy raste konflikti interesi, po ashtu për disa pasuri të tij ishin konstatuar fshehje dhe mosdeklarime, ndërsa në disa raste edhe deklarimi i rremë në deklaratat vjetore ose atë për llogari të vetingut. Relatori tha se gjetjet e Inspektoratit kishin qëndruar edhe gjatë hetimit të Komisionit. Ilia vuri në dukje se nga analiza financiare Balliu kishte rezultuar me bilanc negativ prej 11.7 milion lekësh.


Shtuar 30.06.2020 09:51