Nga dita e hënë do të nisë zbatimi i rregullave të ashpra nga qeveria në tregjet e Tiranës, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Ky lajm u bë me dije nga Kryeministri Edi Rama pas pamjeve të shkrepura sot në tregun e Tiranës.
Ai thotë se nuk do rrezikohet gjithçka që është arritur deri tani në Tiranë, vetëm për një treg.
Kreu i qeverisë shton se nëse nga 27 njësi, në 26 prej tyre tregjet funksionojnë me rregullat e “luftës”, nuk ka asnjë arsye që në tregun e Kombinatit të kurdisen bombat kundër popullit
Rregullat e reja:
– Ushtria nuk do të lejojë më makina në treg;
– do të ketë vetëm një hyrje, çdo hyrje tjetër mbyllet;
– do të largohen të gjithë ambulantët kjo hapësirë;
– në hyrje do të krijohet një tunel higjenik për dezinfektim.
– do të vendoset sinjalistikë 2 metër larg njëri-tjetrit.
Pas njoftimit të Kryeministrit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se të gjithë qytetarët duhet të zbatojnë masat e vendosura.
Ministrja deklaroi në tregje do të do të vendoset në korridor sanitar për të ruajtur distancimin social.
“Qeveria ka vendosur të forcojë masat, sidomos aty ku ka grumbullime njerëzish. Në tregje do të vendoset një korridor sanitar, për të ruajtur distancimin social, që është e vetmja mënyrë për ta dobësuar këtë virus të rrezikshëm.
Një dobësi që të gjithë duhet ta shfrytëzojmë për ta vënë përfund”, tha ministrja.
Manastiriu në fund të fjalës saj ka ftuar gjithë qytetarët që të respektojnë distancimin social, të kujdesen për higjienën personale pasi vetëm kështu mund të fitohet kjo luftë.