KiE: Dëbimi i mësuesit turk, shkelje e të drejtave të njeriut

Andrej Hunko, Raportues për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) komentoi për Exit News “ekstradimin shqetësues” të Harun Çelikut nga Shqipëria në Turqi.

“Kemi vërejtur ekstradimin shqetësues të zotit Harun Çelik dhe do ta ndjekim nga afër situatën. Sipas Konventës Evropiane të KiE për Ekstradimin, nuk duhet të ketë ekstradim për vepra politike.”

Hunko shtoi se sipas Konventës së të Drejtave të Njeriut të KiE-së, vendet anëtare duhet të sigurojnë që të drejtat e njeriut të të gjithë personave në territorin e tyre do të respektohen.

“Ekstradimi në një shtet ku një gjykim i drejtë është së paku i dyshimtë nuk është në përputhje me këto përgjegjësi” shpjegoi ai, duke nënkuptuar se veprimet e autoriteteve shqiptare mund të jenë në kundërshti jo vetëm me një, por dy konventa të nënshkruara.

Ai vazhdoi se ndërsa ata nuk kanë komunikim të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare, ka një debat të vazhdueshëm në komitetet e KiE dhe ata do të publikojnë vlerësim të çështjes me një raport.

Hunko tha se është tejet i shqetësuar për metodat që Turqia po përdor për të nxitur estradimet nga vendet e tjera. Ai theksoi raste në Moldavi ku mësuesit u dëbuan në vitin 2018. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi që ekstradimi po shkelte Konventën dhe e dënoi Moldavinë të paguante rreth 25,000 euro për secilin person të dëbuar.

Edhe nëse dëbimi ishte për shkak të çështjeve juridike siç pretenduan autoritetet, ata gjithësesi po shkelnin të drejtat e njeriut të garantuara sipas Konventës për të Drejtat e Njeriut.

Në fillim të kësaj jave, avokatët e Çelikut dërguan një letër zyrtare në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në Shqipëri duke kërkuar informacione në lidhje me situatën e tij.

Në letër, ata pyetën autoritetet nëse largimi i Çelikut nga Shqipëria ishte dëbim apo ishte për shkak të ndërhyrjes nga Turqia.

Çeliku u arrestua pesë muaj më parë dhe u burgos në pritje të gjyqit. Gjatë kësaj kohe ai kërkoi azil politik, por iu mohua nga autoritetet e burgut. Në vend që të ballafaqohej me gjyqin në Shqipëri, ai u dërgua në Turqi me kërkesën e pretenduar të qeverisë turke, ku ai beson se jeta e tij është në rrezik.

Avokati i tij Alban Bengasi tha se edhe për një akt dëbimi, kundër tij duhet të bëhej një akt administrativ siç është urdhri i dëbimit. Sipas ligjit shqiptar, përpara ekzekutimit të urdhrit, personi në fjalë ka të drejtë ta kundërshtojë atë në gjykatën administrative.

Çeliku dyshohet të jetë një “Gylenist – anëtar i një organizate për të cilën Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pretendon se qëndronte pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit 2016. Që atëherë ai ka ndërmarrë goditje ndërkombëtare për këdo që ai beson se është i lidhur me lëvizjen. Rreth 150,000 nëpunës civilë, oficerë policie, ushtarë, gjyqtarë, mësues dhe akademikë janë pezulluar, burgosur ose vëbë para gjykatave, së bashku me mijëra gazetarë.

Erdogan ka kërkuar gjithashtu dëbimin e të ashtuquajturve gylenistë nga disa vende të botës.

Turqia nuk u jep pasaporta apo karta identiteti qytetarëve, të cilët i konsideron përkrahës të Lëvizjes Gylen, duke bërë që shumë prej atyre që ikin në perëndim të përdorin dokumente false.

Partia Demokratike i bëri thirrje Presidentit, Avokatit të Popullit dhe Prokurorisë të nisin hetim për rrethanat e largimit të Harun Çelikut nga Shqipëria dhe e quajti ngjarjen një “rrëmbim”.

Një zëdhënës i Kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara nga Exit News në lidhje me çështjen.


Shtuar 8.01.2020 18:22