Ja çfarë mund të prishë agjërimin tuaj

Tani gjendemi në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe derisa shumë nga ju vazhdojnë të agjërojnë, ndodhë në disa raste që diçka e tillë të u prish obligimin tuaj të cilin e keni filluar për këtë muaj.

Prandaj nëse nuk keni qenë ende i sigurt se çka e prish agjërimin tuaj, më poshtë do të gjeni, një listë që u këshillon se si të kaloni këtë periudhë.

Ka disa raste kur ju papritur keni bërë diçka por që nuk keni qenë në dijeni se mund të prish agjërimin tuaj atëherë lexoni këshillat e mëposhtme:

1. Situatat që e prishin agjërimin dhe kërkojnë edhe kazanë, edhe kundërshpërblimin e tij

Njëri prej veprimeve të mëposhtme i kryer nga personi i agjëruar në muajin e ramazanit, pa qenë i detyruar, pa harruar, në mënyrë të vetëdijshme e të ndërgjegjshme, kërkon edhe zëvendësimin (kazanë) e agjërimit të prishur, edhe kundërshpërblimin përkatës:

* Kryerja e marrëdhënieve seksuale.

* Ngrënia, pirja dhe përdorimi i ilaçeve.

* Gëlltitja me dashje e shiut, borës dhe breshërit të hyrë në gojë pa dashje.

* Pirja e duhanit, thithja e tymrave ose avujve, thithja e opiumit (e pluhurave ose avujve të lëndëve narkotike).

* Ngrënia e dhjamit, pastërmasë ose mishit të gjallë.

* Gëlltitja e një gjëje të vogël sa një kokërr susami ose gruri të mbetur ndër dhëmbë nuk e prish agjërimin. Por po qe se e njëjta gjë futet në gojë nga jashtë dhe gëlltitet, e prish agjërimin dhe kërkon edhe zëvendësimin e tij, edhe kundërshpërblim. Ndërkaq, agjërimi s’prishet nëse një gjë e tillë vetëm sa përtypet në gojë, sepse gjëja thërrmohet, shkrihet, përhapet e humbet në gojë. Por nëse shija e saj shkon dhe ndjehet në grykë, agjërimi prishet.

* Po qe se një gjë sa një kokërr qiqër e mbetur ndër dhëmbë nxirret jashtë dhe pastaj futet në gojë dhe hahet, agjërimi prishet, por, sipas pikëpamjes zyrtare, nuk kërkon kundërshpërblim, sepse ngrënia e një gjëje të tillë dhe në këto kushte është e jashtëzakonshme.

* Gëlltitja e pështymës ose lëngut të gojës së bashkëshortes ose të një njeriu të dashur. Në raste të tilla kemi të bëjmë me mjekim, ushqyerje dhe kënaqësi, prandaj, bashkë me zëvendësimin e agjërimit të prishur, kërkohet edhe kundëshpërblimi i tij.

1. Situatat të cilat e prishin agjërimin, por që kërkojnë vetëm kazanë e tij

Kaza: Është agjërimi i një dite tjetër në kompensim të agjërimit të prishur me arsye.

* Ngrënia apo pirja e gjërave që nuk përdoren normalisht si ushqime dhe pije dhe që natyra njerëzore nuk është e prirur për t’i përdorur si ushqime dhe pije, e prishin agjërimin, për të cilin kërkohet vetëm kazaja e tij. Konkretisht, ngrënia e gjërave që njeriu normalisht nuk i ha, si dheu, guri, orizi i gjallë (i pagatuar), brumi i papjekur, mielli, etj., e prish agjërimin dhe kjo situatë kërkon vetëm zëvendësimin (kazanë) e agjërimit të prishur.

* Ngrënia e arrës jeshile që nuk ka zënë bukë (thelb). Gëlltitja pa i përtypur, bashkë me lëvozhgën, e bajames, lajthisë dhe kikirikut të thatë.

* Futja e fitilave ose pikimi i ilaçeve në ekstremitetin e pasëm (anus).

* Tërheqja e ilaçit me hundë.

* Pikimi i një lënde vajore në vesh.

* Pikimi në grykë i një lëngu me hinkë ose pikatore.

* Hyrja në thellësi të trupit e ilaçit të lyer mbi plagën në bark ose në kokë.

* Gëlltitja pa dashje e shiut, borës apo breshërit të hyrë gjer në grykë.

* Kalimi pa dashje në kanalet hundore (sinuset) i ujit të marrë në gojë ose të tërhequr me hundë gjatë marrjes së abdestit.

* Tërheqja me dashje e tymit në grykë apo në hundë. Po qe se tymi është kënaqësindjellës, si tymi i duhanit, kjo situatë kërkon edhe kundërshpërblim (kefaret).

* Personi (viktimë) që i është prishur agjërimi për shkak të hyrjes në marrëdhënie seksuale me përdhunë, duhet vetëm ta zëvendësojë (ta bëjë kaza) agjërimin e prishur, jo edhe të japë kundërshpërblim. Me fjalën përdhunë këtu kuptohet përdorimi i forcës, prerja e një organi ose dëmtimi i një organi me anë të rrahjes. Prishja e agjërimit nga viktima për shkak të një rrahjeje vetëm dhimbëse e dëshpëruese ose për shkak burgimi të ushtruar mbi të, kërkon edhe zëvendësimin (kazanë) e agjërimit, edhe kundërshpërblimin e tij.

* Hedhja ujë në grykë nga dikush, ndërsa personi është në gjumë.

* Ngrënia dhe pirja me dashje duke pandehur se është prishur agjërimi pas ngrënies ose pirjes për shkak të harresës.

* Ngrënia e një gjëje ushqimore sa një kokërr qiqre të mbetur ndër dhëmbë.

* Vjellja jashtë me dëshirë. Kjo vjellje e prish agjërimin edhe sikur të jetë me një sasi më të pakët se një gojë plot.

* Ngrënia e syfyrit pas kalimit të kohës së syfyrit duke pandehur se nuk ka kaluar.

* Prishja (hapja) e agjërimit duke pandehur se dielli perëndoi dhe iftari u bë.

* Prishja qoftë edhe me dashje e një agjërimi tjetër, veç agjërimit të ramazanit.

* Konsumimi i ekstazës seksuale (ejakulimi te mashkulli dhe orgazma te femra) me anë të puthjes, përqafimit dhe përkëdheljes (pa kryer marrëdhënie seksuale). Agjërimi s’prishet pa konsumimin e ekstazës seksuale edhe nëse puthja, përqafimi, përkëdhelja, etj. bëhen me epsh.

* Ngrënia dhe pirja gjatë ditës pasi personi nuk ka bërë nijet (nuk ka vënë si qëllim) qysh më parë, sipas rregullave përkatëse, të agjërojë atë ditë. Kjo situatë kërkon zëvendësimin (kazanë) e asaj dite të paagjëruar por jo kefaret, sepse kundërshpërblimi është ndëshkim jo për mosagjërimin, por për prishjen e agjërimit të filluar. Ndërkaq, kjo situatë përbën mëkat dhe kërkon pendesë.

* Gëlltitja e pështymës ose të kafshatës së një tjetri ose ngrënia e kafshatës së vet nga personi pasi e ka nxjerrë pak nga goja. Meqë natyra njerëzore ndjen neveri ndaj veprimeve të tilla, prishja e agjërimit me këto mënyra kërkon vetëm zëvendësimin (kazanë) e agjërimit, kurse gëlltitja e pështymës së një njeriu të dashur kërkon edhe kundërshpërblim, sepse nga ky akt personi ndjen kënaqësi.

* Futja në organin gjenital femëror si dhe në organin e defekimit (anus) me anë të gishtit ose të një mjeti tjetër e një lagështire si uji ose një lëng vajor (yndyror). Duke mbajtur parasysh këtë gjë, personi i agjëruar duhet të ketë kujdes që, duke bërë pastrimin pas urinimit ose defekimit, të mos futet lagështirë brenda organeve përkatëse.

* Masturbimi.

* Gëlltitja e gjakut. Gëlltitja e pështymës ku ka shumë pak gjak nuk e prish agjërimin.


Shtuar 26.04.2020 19:53