“Islami nuk është terrorizëm”, tre myslimanë tregojnë paragjykimet që hasen në shoqërinë shqiptare

Nga Alma Janka

“Të tjerët mos i paragjyko, mos armiqëso kënd, mësohu të duash e të respektosh njerëzit. Jo me patjetër duhet të ndajmë të njëjtat mendime që të duhemi e të respektohemi”.

E lexova këtë shprehje në një prej postimeve të Gentian Marës në profilin e tij në facebook, imam i xhamisë së Tufinës në Tiranë dhe m’u duk një si një postulat shumë interesant, domethënës dhe tërheqës aq sa për të shkruar disa rreshta në lidhje me Islamin, të kuptuarit të tij nëpërmjet një kleriku musliman, një gruaje muslimane, një të krishtere të konvertuar në muslimane dhe për të kuptuar rolin e medias, pjesë e së cilës jam, në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë më këtë komunitet, me shoqërinë në të cilën jetojmë.

Ndodh jo rrallë që pjesëtarë të këtij komuniteti të paragjykohen, të gjykohen mbi bazën e tipareve të caktuara apo perceptimeve të ndryshme, të ngjarjeve apo rrëfimeve të shtrembëruara, të mentaliteteve të gabuara etj. Paragjykohen nga shoqëria, por paragjykohen edhe nga media e cila është pjesë e kësaj shoqërie, me raste në mënyrë të drejtpërdrejtë e në raste të tjera, të tërthortë. Ekzistenca e paragjykimeve të cilësdo forme qofshin, besoj se në një formë a në një tjetër, na bëjnë të mos e respektojmë siç duhet këtë komunitet, të mos e njohim siç është në të vërtetë, të na ‘’armiqësojë’’ me mendimin ndryshe që ky besim manifeston e të tjera si këto.

Por mjafton që shumëkush prej nesh të pyesë përpara se të shkruajë diçka për këtë komunitet apo një anëtar/e të tij, mjafton të komunikojë me ta, të lexojë e të shfletojë mbi libra dhe jo vetëm, mjafton të dëgjojë për të kuptuar të tjera dimensione të së vërtetës, për të kuptuar se Islami vërtetë të mëson të duash, të respektosh njerëzit dhe të mos i paragjykosh ata. Mjafton të njohësh disa prej tyre për të kuptuar se nuk është aspak e lehtë t’ etiketosh me gjithëfarësoj epitetesh, t’u ngarkosh faje apo të aludosh mbi ta, mbi të gjithë ata për gjëra të paqëna apo edhe krime hera-herës. Zgjodha të sjell pak nga historia dhe mendimet e tre muslimanëve shqiptarë për ta parë dhe kuptuar islamin nëpërmjet fjalëve dhe perceptimit të tyre.

Gentian Mara është një 34-vjeçar i diplomuar për teologji në Siri dhe prej kohësh është Imam i xhamisë së Tufinës në kryeqytet. Mjaft i gatshëm dhe dashamirës për t’iu përgjigjur pyetjeve të mia, ai tregon se ka zgjedhur të kalojë jetën e tij me një shtetase siriane. Mara thotë se ishte dashuria që i bashkoi ata dhe falenderon Zotin që lidhja e tyre u kurorëzua me sukses. Edhe pse vështirësitë në finalizimin e lidhjes së tyre nuk kanë munguar, hoxhë Mara artikulon bukur teksa thotë se lidhja e dashurisë mes dy partnerëve që duan të ndërtojnë folezën e tyre, harron çdo sakrificë dhe vështirësi. Imami shprehet ndërsa tregon për historinë e tij se ka qënë ai shtylla kryesore mbështetëse për bashkëshorten në mënyrë që ajo të përshtatej më së miri me jetën në Shqipëri.

Pyetjes nëse kanë patur raste të paragjykimeve, diskriminimit, qëndrimeve apo opinioneve përbuzëse për lidhjen e tyre, Mara i përgjigjet: “Nuk më ka interesuar ndonjëherë kjo çështje. Duke qenë qe se nuk më ka interesuar, nuk e kam vënë re kurrë një gjë të tillë. S’më ka interesuar opinioni i të tjerëve por rehatia ime. Se sa e shëndoshë është lidhja ime me familjen, është ajo që më intereson dhe jo opinioni i të tjerëve’’.

Por Gentiani është i painteresuar për opinionin e të tjerëve për zgjedhjet apo vendimet e tij, po aq sa ç’është edhe ai vetë karshi zgjedhjejeve të të tjerëve. Është aq i hapur në mendime e gjykime duke respektuar gjithkënd për mënyën se si dëshiron të jetojë, duke përfshirë sigurisht edhe pamjen e jashtme.
-‘’Gjithësecili/a është i/e lirë të zgjedhë mënyrën sesi paraqitet. Unë respektoj këdo për bindjen që ka. Nuk paragjykoj askënd nëse ka një paraqitje ndryshe nga imja, nëse praktikon, zbaton apo mendon ndryshe nga unë’’. Por pavarësisht faktit se 34-vjeçari respekton dhe nuk paragjykon zgjedhjet e të tjerëve, ai sqaron se kjo nuk do të thotë se ai i pranon ato.

Pyetjes nëse e respektojmë njëri-tjetrin në vend si anëtarë të komuniteteve të ndryshme fetare, Mara i përgjigjet pozitivisht. ‘’ Në pika të përgjithshme po, e respektojmë. Shoqëria jonë është e tillë, por se nga buron ky respekt vlen të diskutohet, absolutisht nuk është një respekt i ndërgjegjshëm’’. Imami flet edhe për tolerancën fetare në Shqipëri të cilën zgjedh ta quajë injorancë fetare, ku muslimani në të shumtën e rasteve nuk di çfarë përfaqëson, i krishteri e ortodoksi nuk dinë çfarë përfaqësojnë, nuk dinë se çfarë praktikojnë e ndonjëherë dinë veç emrin e fesë së cilës i përkasin.

Si një besimtar pratikant, një imam e ligjërues që predikon e shpjegon shumëçka në lidhje me besimin apo fenë, si një teolog i mirepregatitur, hoxhë Mara i keqardhur thotë se shoqëria shqiptare ka njohuri shumë të pakta për terminologjinë specifike fetare, duke iu referuar kryesisht fesë islame. Bëhet fjalë për koncepte që hera-herës krijojnë keqkuptime, interpretime dashakeqe, etiketime të pavendtta, etj, duke patur parasysh që paqartësia e koncepteve krijon hapësira për abuzime.

Imami shprehet se shoqëria shqiptare ka njohuri relativisht të pakta, thuajse të pamjaftueshme në këtë drejtim ndërsa jep një shembull shumë të thjeshtë, agjërimin. Ai thotë se njerëzit zbatojnë agjërimin fizik por anashkalojnë atë shpirtëror, pra duhet të njohin qëllimin, çfarë synon agjërimi dhe jo ta përdorin atë si dietë ushqimore. Po kështu flet edhe për terrorizmin, një term që jo rrallë i përvishet islamit apo muslimanëve. ‘’Kurrë shoqëritë islame se kanë njohur terrorizmin, islamizmi s’ka patur terrorizëm dhe as nuk ka, por ka njerëz të cilët duan t’ia ‘’veshin’’ fesë diçka që nuk është prej saj’’.

Në këtë aspekt rol luan edhe media. Pyetjes nëse mendon se media shqiptare ka mangësi në njohuri përsa i përket paraqitjes së temave apo materialeve që lidhen me tematika fetare apo përdorimit të terminologjisë, imami i përgjigjet; ‘’Patjetër që ka. Ka shumë. Nuk dëshiroj ta quaj të qëllimshme, por në disa raste temat fetare në disa media tjetërsohen.
Nuk do ta konsideroja veprim dashakeq por mungesë informacioni’’. Ai shton se fesë islame dhe muslimanit/es i është dhënë shumë pak hapësirë në median shqiptare. ‘’Media ka një interes të vakët për islamin në tërësi-vijon Mara, ndërsa ,shton se një ndër gjërat që nuk funksionon siç duhet në vendin tonë, është media që sipas tij duhet të jetë e paanshme dhe misioni i saj është të informojë audiencën.
Sipas tij në disa raste media jo vetëm që ka ndikim të madh tek njerëzit, por shumë herë i traumatizon ata, krijon panik.

Media duhet të jetë shumë e përgjegjshme dhe të mos cënojë në asnjë rast lirinë e askujt, e në këtë rast as të islamit – thotë hoxhë Mara, ndërsa i referohem ngjarjeve të ndodhura kohë më parë në disa qytete të vendit, Pogradec, Shkodër, Librazhd etj., ku disa media etiketuan me fjalën ‘’terroristë’’ anëtarë të komunitetit musliman ende pa u cilësuar si të tillë nga organet kompetente.

Imami Gentian Mara shton se media duhet të jetë shumë e kujdesshme në përdorimin e disa termave, madje disa prej tyre duhet t’i eleminojë. I tillë është ‘’terrorizmi islamik’’ që sipas Marës cënon të gjithë muslimanët e vërtetë, imazhin apo reputacionin e tyre. Ai shpjegon se dikush që vret të madh e të vogël, që nuk kursen as jetën e tij, ai që vret këdo, nuk ka fe, nuk ka besim. Nuk i përket islamizmit apo kristianizmit. Hoxha thotë se këto janë paragjykime që i drejtohen islamit.

Hyrmys E. është 24 vjeçe me arsim të lartë, praktikante e fesë islame prej shumë vitesh dhe me mbulesë (shami në kokë) prej 5 vitesh. Ndryshe nga imami Mara, Hyrmys tregon se ndaj saj ka patur raste diskriminimi në ambiente publike ose në shkollë dhe se veshja e saj ishte ajo që të tjerët nuk e duronin. Një vajzë inteligjente, ambicioze me dëshirën për të studiuar e për të formuar sa më mirë aftësitë e saj intelektuale, Hyrmys diplomohet pavarësisht vështirësive ndërsa thotë se shoqëria shqiptare mundohet të jetë e pranueshme por ende mendon se mbulesën (shaminë në kokë) një vajzë/grua e vë për shkak të detyrimit familjar apo nga mendime/mendësi të prapambetura. E pyetur se çfarë mendon ajo për burrat dhe gratë që kanë shije apo preferenca të tjera përsa i përket pamjes së jashtme, 24-vjeçarja tregon se është një njeri që beson në lirinë e vetes dhe tek të bërit të gjërave ashtu siç dikush i ndjen.

Hyrmys thotë më tej se në shumicën e rasteve, si anëtarë të komuniteteve të ndryshme fetare, ne nuk e respektojmë njëri-tjetrin. Këtë e demostron me një shembull nga eksperienca personale teksa tregon se nëse një vajzë e mbuluar aplikon për një vend pune që nuk është ambient fetar, është shumë e vështirë që ajo të fitojë sado e kualifikuar të jetë dhe nëse fiton, në të shumtën e rasteve do të ndihet e paragjykuar, sado që shqiptarët po mundohen të bëjnë diversitet.

Përsa i përket tolerancës fetare në Shqipëri, ajo thotë se ka ekzistuar por gjithmonë në sipërfaqe, duke u munduar t’i mbushim mendjen vetes që pranojmë çdo lloj feje, por gjithmonë gjendet një detaj i papëlqyeshëm, jo vetëm tek islami, për të shfaqur kritika e mospranim. 24-vjeçarja mendon gjithashtu se shoqëria shqiptare nuk ka njohuri të mjaftueshme përsa I përket fesë islame, koncepteve apo termave specifike në këtë drejtim. Ajo tregon se ka takuar njerëz që e e kanë pyetur për koncepte të ndryshme të panjohura për to dhe të tjerë persona që janë përgjigjur sipas informacioneve të marra ne media. Të njëjtin mendim si imami Mara, ndan edhe Hyrmys përsa i përket njohurive që ka media për tematika fetare dhe hapësirës që kjo e fundit i krijon temave të tilla. Ajo thotë se media nuk ka njohuri të mjaftueshme për asnjë lloj feje dhe se tema të tilla hasen shumë pak në media.

Pyetjes se a përgjithësohen muslimanët dhe etiketohen me epitete të ndryshme edhe pa qenë protagonistë në një ngjarje të caktuar (kryesisht negative, sulme etj), Hyrmys i përgjigjet: ‘’Po, ka ndodhur në disa raste me njerëz të thjeshtë. Shpesh duke ecur në rrugë edhe unë jam ironizuar ose ofenduar. Në një rast kur isha me shoqërinë në bar-kafe, një grup të rinjsh filluan të bënin “humor” të tipit; “ngrihuni shpejt se po dëgjoj tik-tokun e bombës”.

Pavarësisht të tilla shprehjeve fyese, 24 vjeçarja nuk ka hequr aspak dorë nga zgjedhja e saj madje me shumë vendosmëri tregon se feja/besimi duhet të ndihet shpirtërisht, teksa e pyes se përse disa e kanë të vështirë të lexojnë dhe të interpretojnë siç duhet islamizmin dhe mesazhet që ai përcjell. Hyrmys thotë se të mësosh për një fe të caktuar, nuk mjafton vetëm të lexosh Biblën ose Kur’anin por duhet t’i interpretosh dhe t’i ndjesh ato që lexon. Edhe për rolin e medias, ajo thotë se është mjaft i rëndësishëm. Sipas saj, media shqiptare gjithmonë mundohet të jetë ‘’tolerante’’ dhe ‘’e hapur’’ në lidhje me komunitetet e ndryshme fetare.

Pak kohë më parë më rastisi të takoj e të njoh një vajzë e cila më tërhoqi vëmendjen me rrëfimin e saj, me mënyrën e të folurit, sjelljen dhe mirësinë e treguar. Por ajo që më ngjalli jo pak interes, ishte historia e saj e besimit, ndaj zgjodha ta ndaj në këtë material me pak histori (në numër) shumë të rëndësishme për mua.

Mariana S. 19 vjeç dhe që studion ‘’E drejtë biznesi” vjen nga një familje që i përket besimit të krishterë katolik. Që në moshë të vogël ajo ka qenë praktikante e kësaj feje dhe kryente ritualet përkatëse si leximi i Biblës, agjërimi në ditë të caktuara etj.
Për të gjithçka nisi pak vite më parë kur gjen në shtëpinë e saj mbi tryezë, një libërth (siç e quan ajo) të vogël me shpjegime rreth fesë islame. Megjithëse fillimisht e keqardhur për këtë fakt, ajo vendos ta lexojë, më tepër me idenë për të gjetur argumenta për të kundërshtuar vëllain i cili pak më herët kishte pranuar islamin. Mariana nis të lexojë dhe të studiojë me më shumë vëmendje Kur’anin dhe Biblën njëkohësisht dhe pas kësaj, gjërat thotë se ishin më të qarta për të.

‘’Ishte e vështirë për mua fillimisht të mos pranoja më për Zot një profet tek i cili isha lutur për aq shumë kohë, por të gjeja besimin tim të ri tek Zoti i cili sheh çdo gjë edhe pse nuk ka sy, dëgjon çdo gjë edhe pse nuk ka veshë dhe që pa meshirën e tij nuk mund të lëvizim as qerpikun e syrit. Besoj tek Islami i cili gjithashtu e ngre shumë lart figurën e Krishtit si profet- tregon Mariana. Ajo shpjegon se e zgjodhi këtë rrugë (këtë besim) pasi sipas saj ishte më e qartë dhe e sjell Zotin me gjithë cilësitë e tij absolute, ashtu sikurse Ai është.

Në fakt familja e 19-vjeçares nuk e priti fort mirë fillimisht këtë ndryshim të saj, zgjedhjen e saj të përkatësisë feare, por me kalimin e kohës e pranoi duke kuptuar qasjen edhe më pozitive të Marianës në shumë drejtime. Sipas saj, familja kuptoi gjithashtu se islami nuk ishte ashtu siç e kishin menduar dhe e përkrahu zgjedhjen e së bijës.

Me dëshirën për të qenë një gazetare e zonja në të ardhmen e afërt dhe ndërsa ka hedhur hapat e parë në këtë drejtim, Mariana tregon se nuk është penduar aspak për zgjedhjen e saj. Edhe pse tani ndihet më e plotësuar në informacion, ajo tregon se vazhdon të lexojë gjithnjë e më tepër për t’u thelluar në dije e për të kuptuar më tepër. Pyetjes nëse mendon se paragjykohet apo jo feja islame, 19 vjeçarja i përgjigjet se po, paragjykohet mjaft, përgjithësisht nga njerëz që e njohin pak ose aspak atë. Ashtu si edhe muslimanët me të cilët u njohët më herët në këtë material, edhe Mariana është e mendimit se midis besimeve të ndryshme në vendin tonë, ka një lloj bashkëjetese por ajo është formale.

Mjafton pak ndonjëherë për të kuptuar mjaftueshëm për dikë tjetër por mjafton fare pak ndonjëherë për të lënduar apo cënuar dikë, qoftë edhe pa dashur. E them këtë sepse mund të ndodhë që secili prej nesh, jo vetëm si qytetarë/e por edhe si gazetarë/e, në misionin tonë për të informuar, edhe të gabojë. Mund të ndodhë kjo për shumë arsye, një prej të cilave mund të jetë mungesa e informacionit. Nëse kjo ndodh, do të ishte e pafalshme përsa kohë mundësitë për të kërkuar të dhënën e munguar, janë aq të shumta.

Për askënd nga ne, pjesëtarë të botës së medias, nuk do të ishte profesionale, e dinjitetshme apo etike të cënonim sadopak lirinë e dikujt, lirinë e të shprehurit, lirinë e besimit e të tjera si këto, ndaj do të ishte me vend që përpara se të shkruajmë të zezë mbi të bardhë, të jemi të bindur për vërtetësinë e çdo fjale, të presim mendimin e një eksperti para se të etiketojmë apo edhe të paragjykojmë këdo, qofshin këta edhe muslimanë, katolikë, ortodoksë apo të çdo komuniteti fetar dhe jo vetëm.

Çdo njeri është përgjegjës për veprimet e tij/e saj, mban përgjegjësi penale në raste të veprave penale, ashtu sikundër i atribuohen lëvdata e merita në raste të sukeseve apo arritjeve, por për asnjërën prej tyre nuk mund të bëjmë përgjithësime.
Rastet e treguara më sipër përcjellin ndër të tjera një sërë cilësish e virtytesh pozitive, përcjellin mesazhet po aq pozitive të islamit, përcjellin aspak paragjykim, por respekt, dashuri e paqe. Mjafton kaq për të kuptuar që një individ, dy apo edhe më shumë nuk mund të përfaqësojnë një komunitet të tërë.

Mjafton fare pak për të kuptuar që përpara se të ‘’kriminalizojmë’’ të gjithë botën islame duke përdorur terminologjinë e pasaktë, të shfletojmë fjalorët. Po e mbyll këtë material sërish me një shprehje të imamit Mara: “Mbillni tradita të mira në të përditshmen tuaj, gjuhën përdoreni drejt ose heshtni, mos paragjykoni traditat e një populli pa i kuptuar ato’’.


Shtuar 12.03.2020 16:06