Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti tragjik i ndodhur në aksin Tiranë-Elbasan, ku dy vajza humbën jetën dhe dy të tjera janë në gjendje kritike në Spitalin e Traumës në Tiranë. Të 4 vajzat që po udhëtonin me mjetin ‘Volkswagen’ me targa AA 409 VE ishin nisur drejt Korçës për të festuar ditëlindjen e Denisa Dibrës, 25 vjeç, një nga të plagosurat e aksidentit.
Por festa e saj u kthye në tragjedi, pasi mbrëmjen e djeshme teksa po ktheheshin janë përplasur nga mjeti tip “Benz” me targa AB 209 AD, ku drejtuesi Behar Pema, 58-vjeçari, në gjendje të dehur ka kryer manovra të rrezikshme në rrugë .
Denisa Dibra, e cila ishte drejtuesja e mjetit ‘Volkswagen’, është vajza e gazetarit sportiv të RTSH-së në Shkodër, Edmond Dibra.
E plagosura tjetër është Nervida Garunja, 24 vjeç, e cila pas aksidenti ka mundur të dëshmojë se drejtuesi i mjetit “kryente manovra në rrugë, ecte dhe nuk mbante drejtimin”.
Nga aksidenti mbetën të vdekura Lusinda Garunja, 19 vjeç dhe Xhaneta Qallia, 18 vjeç, të cilat ishin pasagjere në pjesën e pasme të makinës, nga ku erdhi dhe goditja e fortë e makinës tip “Benz”. Lusinda Garunja dhe Nervida Garunja ishin motra mes tyre, por fati i ndau në moshë tepër të re.
Aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e djeshme në dalje të tunelit të Elbasanit, ku 4 vajzat mbetën të bllokuar në mjetin e tyre dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses me mjetet prerëse për të nxjerrë vajzat nga mjeti i dëmtuar.
Janë dashur rreth 30 minuta për nxjerrjen e vajzave, të cilat kanë dalë me shenja jete, por dy prej tyre Lusinda Garunja dhe Xhaneta Qallia nuk mundën të mbijetonin dhe humbën jetën në Spitalin e Elbasanit.
Shkak i aksidentit dyshohet se ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe gjendja e dehur e drejtuesit të mjetit tip “Benzi” Behar Pema, 58 vjeç, i cili pas dy testeve të alkoolit ka dalë mbi normën e lejuar në masën 093 mg/l testi i parë dhe 0.99 mg/ l testi i dytë.
Ai është arrestuar nga policia dhe do të përballet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” duke i shkaktuar vdekjen e dy vajzave të reja./Shqiptarja.com