Ish-ministri socialist: Pas dy javësh merr fund koronavirusi në Shqipëri

Ish-ministri socialist Et’hem Ruka ka dhënë një lajm të mirë për situatën e koronavirusit në Shqipëri.

Bazuar në disa grafikë me të dhëna personale, jo zyrtare, thotë se pas dy javësh mund të shuhet tërësisht pandemia në vendin tonë.

Përqindjen e të sëmurëve me virus i ka paraqitur në kolonat ngjyrë blu që kanë pësuar rënie gradualisht, ndërsa përqindjen e të shëruarve i ka paraqitur në kolonat ngjyrë të kuqe që kanë pësuar rritje në mënyrë graduale.

“Pika kritike u arrit më 12 prill kur përqindja e të sëmurëve dhe ajo e të shëruarve u bë 50% me 50%. Pas kësaj date % e të shëruarve fillon të bëhet më e madhe se ajo e të sëmureve.

Ritmi i përmirësimit luhatet nga 2%-3% për çdo ditë. Kjo do të thotë se teorikisht nëse do të ecet me këtë ritëm, pandemia duhet të shuhet pas 2 javësh”, shkroi Ruka në një postim në Facebook.

Ish-ministri socialist theksoi se parashikimin teorik e bën duke u bazuar në ecurinë e kurbave gjatë dy javëve të fundit. Sipas Rukës, modeli mund të përmyset nëse nuk vazhdon ky sistem karantimi.


Shtuar 15.04.2020 19:31