Ish- agjenti britanik: Si po e dominon mafia shqiptare trafikun e kokainës

Rrezikshmëria dhe aftësia e grupeve kriminale shqiptare për të tregtuar sasi të madhe kokaine në Angli, doli në pah edhe njëherë tjetër, nga ngjarja kriminale e rrëmbimit dhe ekzekutimit të Jakë Prengës. Autori i librit “Lufta e Drogës” Neil Woods ish oficer I infiltruar në grupet e trafikut të drogës, për llogari të policisë angleze në një intervistë me skype për Top Channel, shpjegon se si dekadën e fundit shqiptarët mundën të dominojnë tregun e kokainës në Britaninë e Madhe me një vlerë 5 miliard stërlina në vit.

“Jam në dijeni të të dhënave inteligjente se si po ndryshon panorama ndërkombëtare e trafikut të drogës që nga koha kur isha oficer policie. Ka shqiptarë që dominojnë trafikun e drogës në Angli këto vitet e fundit kjo jo se janë shqiptarët e përfshirë por se krimi është duke bërë gjithnjë e më shumë ndërkombëtar. Kur policia arreston një shpërndarës apo dikush që shet drogë me shumë, krijohet mundësia që dikush tjetër të përfshihet në këtë biznes. Vitet e fundit shqiptarët dallohen për të qenurit tejet eficent në këtë biznes jo vetëm në Angli por edhe Europë”.

Neil Woods shpjegon mënyrën se si shqiptarët operojnë në trafikun e drogës.

“Nga të dhënat që unë kam mund t’ju them se në një rast një grup kriminal shqiptarë kishte lidhje direkte me një kartel në Amerikën Latine. Kjo bën që ata mos të kenë në mes një ndërmjetës dhe kjo tregon se sa eficentë ata janë. Për të krijuar një treg të ri fillimisht ti duhet të shkatërrosh tregjet ekzistuese. Sa herë që policia shkatërron një organizatë kriminale I bie të shkatërrohet një treg dhe kështu vakumin e krijuar e zëvendësojnë shqiptarët”.

Por cilat janë avantazhet e grupeve kriminale shqiptare në Angli?

“Avantazhet e tyre lidhen me lidhjet ndërkombëtare që ata kanë pasi gjithnjë e më shume droga është një çështje ndërkombëtare. Nëse dikush në Londër kërkon të blejë disa kile kokainë duke bërë biznes me njerëzit e duhur mbase shqiptarët ata kështu ndërtojnë lidhje me grupet ndërkombëtare në nivele të ndryshme. Në të tilla kushte avantazhi djemve shqiptarë është pikërisht lidhja e tyre ndërkombëtare si dhe eficenca gjithashtu. Tani kemi një dukuri të re në tregun e drogës në europë. Nëse policia, NCA, apo Marina Mbretërore në Angli kap një ngarkesë të madhe pagesa nuk bëhet. Pagesa bëhet vetëm për dërgesat e suksesshme”.

Neil Woods tregon edhe rrugët e përdorura për ta sjellë kokainën në Britaninë e Madhe.

“Rruga më e re e trafikut të drogës që unë besoj se dominohet nga Shqiptarët është ajo duke kaluar Atlantikun për në Afrikën Perëndimore dhe pastaj janë disa rrugë për ta sjellë në Evropë e më pas përmes detit në Angli. E në të tilla kushte nga perspektiva e agjencive ligj-zbatuese ne kemi pak shanse për ta ulur nivelin e trafikut të drogës për të patur pastaj impakt në treg. Besoj se policia dhe NCA kanë njohuri të mjaftueshme për shqiptarët e përfshirë në këtë trafik droge”.


Shtuar 30.01.2020 20:51