Injoruan edhe tërmetin, kush janë 13 deputetët që nuk thanë asnjë fjalë në 13 seanca plenare

Në sesionin e fundit parlamentar vijon trendi i 20%-25% të deputetëve që nuk përfshihen në debatet parlamentare dhe një pjesë e tyre as nuk lënë as gjurmë në aktivitetin vendimmarrës parlamentar.

Referuar raportit të monitorimit të Kuvendit në periudhën shtator – dhjetor 2019 janë plot 27 deputetë që nuk kanë mbajtur asnjë fjalim gjatë kësaj periudhe, ndonëse vendi u përball me një katastrofë të jashtëzakonshme, siç ishte tërmeti i 26 nëntorit.

nga të dhënat e tabelës rezultojnë se bëjnë pjesë.

-1 deputet nga Grupi “Demokrat”,

-7 deputetë pa grup parlamentar,

-5 deputetë nga Grupi i “Pavarur”,

-2 deputet nga Grupi i “Partive të Djathta”

-12 deputetë nga Grupi i PS-së.

Në këtë të fundit bëjnë pjesë emra të njohur të politikës përfshirë bashkëkryetarin e Komisionit të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri (aktiv në Komision, por jo në seancë), deputeti me përvojë Spartak Braho (aktiv në media, por jo në parlament), si dhe deputetë të tjerë që kanë bërë “headline” në media gjatë këtij sesioni si Rrahman Rraja.

Po ashtu në listën e “të heshturve” në seancat plenare bëjnë pjesë edhe rreth 5-6 deputetë nga lista e 10-15 deputetëve me më shumë përfitim financiar nga trajtimi i funksionit të deputetit gjatë vitit 2019.

DEPUTETËT MË PAK EFEKTIVË? KOKA, DOSHI…DHE 12 “PRURJE TË REJA”

Pjesa tjetër e tabelës së efektivitetit merr në konsideratë dhe është në interes publik edhe për deputetët që kanë qenë më pak efektivë gjatë sesionit të fundit parlamentar. Siç shihet nga tabela, përveç deputetes së re Enada Kapllani e ardhur nga lista e LSI Vlorë, dy deputetët më pak efektivë janë dy emra të njohur të politikës dhe të jetës parlamentare, – ish ministri Lefter Koka dhe deputeti Tom Doshi.

Në listë bën pjesë edhe ish deputeti i PS Gjetan Gjetani tashmë i pavarur, deputeti Paulin Sterkaj si dhe deputeti biznesmen Sadri Abazi. Në tërësi janë po ata emra, kryesisht lidhje të biznesit me politikën, që nuk kanë aktivitet parlamentar në atë masë sa të dëshmojnë nivel mesatar ose të lartë efektiviteti.

Interesante është se në listën e 18 deputetëve më pak efektivë në parlament gjatë sesionit të fundit bëjnë pjesë 12 deputetë nga prurjet e reja të pranverës 2019, një bilanc ky kritik për deputetët e rinj dhe për vetë parlamentin.


Shtuar 11.01.2020 15:56