Infektohet punonjësi, mbyllet ambasada shqiptare në Greqi

Ambasada shqiptare në Greqi është mbyllur si pasojë e koronavirusit. Një punonjës ka rezultuar pozitiv, punon në sektorin e aplikimeve për pasaportë.

Ai ka pasur shenja të buta të Covid-19 për disa ditë, dhe ka rezultuar pozitiv gjatë testit. Menjëherë punonjësi është izoluar në banesën e tij, ndërsa autoritet do të gjurmojnë kontaktet e tij.

Ndërkohë për të mos përhapur panik në radhët e emigrantëve, ambasada ka njoftuar se pezulloi takimet e programuara për aplikime të emigrantëve në këtë institucion.

Mundësia që ai të ketë infektuar persona të tjerë është e vogël, pasi stafi i kësaj ambasade mban maska dhe doreza gjatë kontakteve me emigrantët të cilët aplikojnë për shërbime konsullore dhe pasaporta biometrike.

Drejtuesit e ambasadës kanë urdhëruar stafin të bëjë testin Covid-19, ndërsa sot ambasada do të dezinfektohet. Ende nuk dihet nëse shërbimet do të ofrohen nga nesër ose jo.


Shtuar 16.09.2020 06:29