Ibrahim Lici refuzon kërkesën e OFL-së për vetëdeklarim të pasurisë. Ka qenë babai i tij Mustafa Lici që në emër të djalit të tij i ka kthyer përgjigje policisë së shtetit duke deklaruar se i biri nuk është subjekt i ligjit.
“Është i pa dënuar nga asnjë gjykatë vendase apo e huaj, nuk ka asnjë masë sigurie nga ndonjë gjykatë për ndonjë vepër penale dhe nuk është person në hetim nga prokuroria për asnjë vepër apo çështje penale”.
Operacioni Forca e Ligjit u dha sot 48 orë kohë për të justifikuar pasuritë katër “të fortëve” të Shkodrës, përkatësisht Muhamed dhe Ibrahim Licit, djemtë e Mustafa Licit, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, si edhe dy vëllezërit Bledar dhe Gëzim Cafi.
Të katër këta persona njihen si pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale që veprojnë në qytetin e Shkodrës.
Ibrahim Lici së bashku me vëllain e tij, Muhamed Lici ranë në pranga të policisë në mars të 2017 me akuzën se drejtonin një grup kriminal që u vendosnin gjoba tregtarëve të ndryshëm në qytetin e Shkodrës.
Ndërsa Muhamet Lici po vuan ende dënimin për këto akuza, gjykata ka liruar të vëllain Ibrahimin.
Mirëpo emri i këtij të fundit do të lakohej sërish në 2019, pasi dyshohet të ketë marrë pjesë në vrasjen e dy vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali një vit më parë në Shkodër.
Ai është shpallur në kërkim që prej 30 marsit të vitit 2019.
Astrit Bilali është babai i Astmer Bilalit, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” që vepron në këtë qytet.
Ndërsa Bledar e Gëzim Cafi akuzohen si të përfshirë në disa ngjarje kriminale, në qytetin verior.
Bledar Cafi i njohur edhe si “i forti” i Shkodrës është akuzuar për vrasjen e Shyqyri Mustafajt në vitin 2001.
Njoftimi i OFL:
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
M. L., banues në Shkodër, i cili aktualisht është i paraburgosur në burgun e Shkodrës, I. L., B. C., dhe G. C., banues në Shkodër.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë. /oranews