I vdekur prej 6 vitesh, OFL i dërgon formular për të justifikuar pasurinë

OFL sot i ka kërkuar një të vdekuri të justifikojë pasurinë.

Shtetasi në fjalë është Shkëlzen Dumanit, një person i cili rezulton i vrarë që prej vitit 2014.

Proceduralisht, Policia e Shtetit ndoshta është në rregull, pasi personi në fjalë nuk figuron i vdekur me letra ndaj edhe procedura quhet e rregullt për sa kohë nuk njihet i vdekur zyrtarisht.

Ajo që bie në sy përveç faktit të mësipërm është pasuria që disponon i ndjeri. Sipas familjarëve të tij ai ka pasur në pronësi një apartament dhe një automjet. Në apartament pas vdekjes së së ëmës Mentije Dumanit, nuk jeton askush. Për këtë arsye, ata e kanë kthyer mbrapsht formularin e dërguar nga Operacioni Forca e Ligjit.

Shkëlzen Dumani, u vra krah grupeve xhihadiste në vitin 2014 në moshën 39-vjeçare. Sipas riteve fetare në Siri ushtarët e vdekur për luftën e shenjtë bien shahit dhe varrosen në tokën ku kanë luftuar. Ai la pas dy fëmijë, Evën dhe Endrin, ndërsa nëna e tyre, Mide Dumani, kërkon rikthimin e tyre.

Në njoftimin e OFL thuhet se Shkëlzen Dumani banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “Rekrutimi i personave me qëllim kryerjen e veprave terroriste”, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve”, duhet të plotësojë formularin e vetëdeklarimit për të justifikuar pasurinë e tij.


Shtuar 18.09.2020 17:06