I shpallur 11 herë në kërkim, lihet në burg Kadilli që nuk ka frikë as policinë

27-vjeçari, i cili ishte shpallur 11 herë në kërkim për krime ndaj personit është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës ka vendosur që të lë në “arrest me burg”.

Edhe gjatë herës së fundit, ai tentoi t’i shmangej pikës së kontrollit, por u kap pas 10 minutash ndjekjeje nga forca e posaçme “Shigjeta”.

Bëhet fjalë për Lajden Kadillin, i njohur edhe si “Lypeni” shqiptar, që në tri raste ka kundërshtuar Policinë, madje dy herë ka tentuar t’i përplasë me makinë efektivët e Rendit në Tiranë e Durrës.

Vitin e kaluar Kadilli u shpall në kërkim pas një incidenti që pati me dy djemtë e deputetit Spartak Braho në Durrës.

Ai është dënuar vetëm një herë në mungesë për një plagosje, por dënimi i është konvertuar me shërbim prove. Bëhet fjalë për plagosjen e Albi Çelçimës në Golem të Kavajës, ngjarje për të cilën Kadilli është dënuar në muajin qershor të vitit 2019 nga Gjykata e Kavajës me 4 vjet burgim, duke iu konvertuar dënimi me 5 vjet liri me kusht. Por gjatë periudhës që ishte në shërbim prove, ai është konfliktuar për parkimin me djalin e deputetit Spartak Braho, Kreshnik Braho, duke e kanosur këtë të fundit me armë dhe thyer xhamin e makinës me qytën e pistoletës. Ngjarja ka ndodhur në sy të fëmijëve të mitur të Brahos.

Për këtë ngjarje Kadilli është shpallur në kërkim. Ndërkohë, një kërkim i dytë është dhënë në 11 shtator 2019 nga Policia e Tiranës. Kujtojmë që në të gjitha rastet që ndodhen në kartotekën kriminale të Policisë së Shtetit ku Kadilli është shpallur në kërkim, ai nuk është arrestuar nga Policia.


Shtuar 6.10.2020 09:41