I riu që fitoi betejën me COVID rrëfen tmerrin: Trupi im është dëmtuar!

Petro është 25 vjeçari, i cili ndonëse ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore, iu desh të përballej me fazën më të keqe të infeksionit me koronavirus, intubimin.

I riu grek tregon se nuk kishte asnjë sëmundje të mëparshme, ndërsa i siguron qytetarët që të mos e vënë në dyshim ekzistencën e COVID-19.

Fatmirësisht Petro e fitoi betejën me virusin disa ditë para ditëlindjes së tij të 25-të. Ai ka treguar se në fillim kishte ethe dhe temperaturë që nuk i binte.

“Unë kisha ethe dhe temperatura nuk më binte“, ndërsa thekson se nuk i besohej fakti që brenda natës e gjeti veten duke luftuar për jetën, në intubim.

“Në të vërtetë nuk kam pasur sëmundje, pothuajse nuk sëmurem kurrë, nuk përdor ilaçe, në përgjithësi jeta ime është shumë e shëndetshme. Askush nuk priste që unë të përfundoja kështu”, tha ai.

Për katër ditë ai kishte pasur temperaturë 40 dhe ethe që nuk binin. Pasi bëri tamponin ai u testua pozitiv dhe menjëherë u nis në spital. “Erdhi më mori një helikopter, u futa në intubim dhe më pas nuk kuptova më asgjë”.

Siç pohon ai, e kuptoi shumë vonë se çfarë po i ndodhte dhe përvoja në intubim ishte e vështirë.

“Ju jeni vetëm, nuk keni asnjë komunikim me njerëzit tuaj. Nuk e dija nëse ata e dinin për mua, në fund mjekët më thanë se i informonin çdo ditë. Nuk do keni një celular, nuk keni asnjë komunikim me asnjë nga njerëzit tuaj. E vetmja gjë që mund të bëhet është që njerëzit tuaj të mësojnë për gjendjen tuaj përmes mjekëve”, shton ai.

Tashmë Petro po vijon trajtimin në një repart tjetër, pasi virusi ka lënë pasoja në trupin e tij. Ai ka vështirësi në ecje dhe vështirësi në të folur.

“Mesazhi që dua t’u jap të rinjve të moshës sime është se unë e kuptoj, e shikoj atë që ndodh në moshën time përmes mediave sociale dhe ata nuk i kushtojnë aq vëmendje sa duhet. Uroj që askush të mos kalojë përvojën që kam kaluar unë”, tha ai.

“Është diçka shumë e vështirë, është diçka që kërkon kohë. Ju e kuptoni që edhe tani jam duke u rikuperuar dhe madje edhe kur të largohem nga këtu për disa ditë, unë do të vazhdoj të jem shumë i kujdesshëm, për të bërë fizioterapi. Trupi im është dëmtuar. Me fjalë të tjera, unë duhet të punoj shumë fort që të kthehem në normalitet. Muskujt janë shumë të dobët“, përfundoi djali 25-vjeçar.


Shtuar 5.10.2020 20:23