I moshuari në Delvinë qëllon 30 herë me kallashnikov mbi mirditorin: Më ke vrarë djalin!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kopacëz, në Delvinë.

Një i moshuar ka marrë kallashnikovin dhe ka qëlluar 30 herë mbi një mirditor që jetonte prej vitesh në këtë fshat.

73-vjeçari Kadri Nora, me profesion ish-mësues, ka marrë një armë zjarri të llojit kallashnikov dhe ka shkuar pranë banesës së të plagosurit, me origjinë nga Mirdita, Martin Dodës.

Doda, 48-vjeçar, u plagos me vetëm një plumb në këmbë dhe është dërguar në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm.

E gjithë ngjarja e ka zanafillën në 2015, ku djali i të moshuarit, Enkeled Nora, i cili punonte si bari, u plagos gjatë një përplasje me armë dhe nuk mundi të mbijetonte.

Për këtë ngjarje për të cilën mësohet se nuk është vënë askush në pranga, moshuari akuzonte mirditorin, dhe sot teksa 48-vjeçari po shpërngulej nga fshati bashkë me familjen, i moshuari ka vendosur të hakmerret.

Njoftim i policisë:

Në orën 04:00, të mëngjesit të sotëm, në fshatin Kopaçëz, Delvinë, për motive të dobëta shtetasi K.N ka plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasin M.D., 48 vjeç, banues në Mirditë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Me marrjen e njoftimit shërbimet e policisë së Komisariatit të Policisë Delvinë dhe Specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku falë veprimeve të shpejta e profesionale kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar K.N., 73 vjeç, banues në fshatin Kopaçëz, si dhe bllokimin e armës së zjarrit tip Kallashnikov që ka kryer plagosjen.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. /albeu.com/


Shtuar 30.01.2020 16:27