I kërkuar për vrasje e armë pa leje, kapet ”i forti” i Lezhës (VIDEO)

Policia e Lezhës ka kapur një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër personit dhe të vjedhjes me armë.

Në kushte të larta sigurie, në orët e para të mëngjesit, në fshatin Godull, forcat e Policisë kanë rrethuar banesën e shtetasit A. J. alias A. Zh., 40 vjeç, duke bërë të mundur prangosjen e tij.

Shtetasi i lartpërmendur ishte person i shpallur në kërkim kombëtar nga Komisariati i Policisë Kurbin, pasi Gjykata e Shkallës Parë Kurbin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Romës, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grabitja me armë ”, “Plagosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Maksimumi i dënimit për këto vepra penale është 20 vjet burg.

Materialet i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 1.04.2020 07:47