I kërkoi 10 mijë euro ose jetën, si dështoi kurthi i policisë për të kapur gjobëvënësin në Bulqizë

Janë zbardhur detaje të reja nga gjobvënia në Bulqizë. Burimet bëjnë me dije se autori i cili është tashmë në kërkim nga policia i ka kërkuar atij 10 mijë euro.

Këtë shumë, Gëzim Balla e ka dorëzuar në polici dhe kanë tentuar të fusin në kurth autorin.

Autori i ka kërkuar Ballës të dalë me shumën e parave në një zonë jashtë qytetit ndërsa para se ta bënte këtë, ka njoftuar policinë dhesë bashku janë nisur drejt vendit të përcaktuar nga personi në fjalë.

I gjendur përballë Ballës dhe policisë, autori ka qëlluar 5 herë në ajër dhe është arratisur në male afër vendngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Policia identifikon dhe vijon kontrollin e zonës për kapjen e autorit të kërcënimit për vënie gjobë ndaj një biznesmeni. Me datë 19.06.2020, shtetasi G.B, (biznesmen), është paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë dhe ka bërë kallëzim, i cili ka deklaruar që është telefonuar dhe kërcënuar për vënie gjobë nga një shtetas.

Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale, Policia identifikoi shtetasin F.Sh, i cili kishte telefonuar dhe kërcënuar shtetasin G.B. Në vijim të veprimeve për kapjen e autorit, policia ka shoqëruar biznesmenin në vendin ku i kishte kërkuar autori që të paraqitej.

Shtetasi F.Sh, i cili ishte fshehur rreth 500 metra në shpatin e malit, ka qëlluar në ajër dhe është larguar me shpejtësi. Shërbimet e policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja për kapjen e autorit. /albeu.com/


Shtuar 19.06.2020 21:57