Humbi gjyqin, si e nxorri inatin Cakaj me ambasadën në Athinë

Ditën e djeshme ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, ka shkarkuar ambasadoren shqiptare në Athinë, Ardiana Hobdari, dhe pjesën më të madhe të stafit të ambasadës sonë për shpërdorim detyre.

Ky vendim ka ardhur, pak ditë pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës pushoi çështjen e ngritur ndaj ambasadores Hobdari dhe Konsullit të përgjithshëm në Janinë, Gjikuria, për akuzën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për rastin e vjedhjes së 100 pasaportave biometrike të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi.

Në shkurt të 2019, një numër i konsiderueshëm i pasaportave të prodhuara në Tiranë për shtetasit shqiptarë në Greqi u vodhën nga makina e konsullit të përgjithshëm në Janinë, Pervin Gjikuria, pasi më parë ishin bllokuar nga dogana greke në autobusin e linjës Tiranë-Athinë.

Si pasojë, Ministria e Jashtme ngriti një grup pune me qëllim hetimin administrativ të saj. Në përfundim u përgatiten dy raporte në lidhje me çështjen e bllokimit të pasaportave dhe asaj të vjedhjes së tyre.

Ministria ngriti akuzë penale për veprën e shpërdorimit të detyrës për ambasadoren Hobdari dhe konsullin Gjikuria, duke sjellë për vlerësim dhe dokumentet e hetimit administrativ.

Më 2 qershor, Gjykata e Tiranës vendosi pushimin e çështjes dhe rrëzimin e akuzave për shpërdorim detyre ndaj ambasadores dhe Konsullit të Përgjithshëm.

Gjykata bën përgjegjëse Ministrinë e Jashtme për mungesë të kuadrit ligjor që duhet rregulluar. Pak ditë pas zbardhjes së këtij vendimi, ka ardhur dhe shkarkimi i ambasadores Ardiana Hobdari nga ana e Cakajt.


Shtuar 9.07.2020 13:41