Hekurudha Tiranë-Durrës në pritje të tenderit, udhëtarët do të paguajnë 200 lekë më shumë

Shqipëria ka një gjatësi të linjave të saj hekurudhore prej 416 km, por jo i gjithi është funksional për shkak të amortizimit të infrastrukturës.

Thuajse në 30 vjet hekurudhat janë lënë në harresë të plotë.

Drejtoria e Inspektimit Hekurudhor ka dalë në përfundimin që shpejtësia e ulët në lëvizjen e trenave dhe koha e gjatë e udhëtimit janë dy e bëjnë jo konkurrues këtë lloj transporti. Por kjo situatë pritet të ndryshojë pas investimit prej 90.5 milionë eurosh, për hekurudhën Tiranë-Durrës.

Rikthimi i hekurudhave është një nga synimet e qeverisë për ta kthyer atë në shërbim të qytetarëve dhe të jetë një alternativë për transportin publik. Në vitin 2022 qytetarët pritet të kenë një hekurudhë të standardeve evropiane dhe më të sigurt.

Në hekurudhën Tiranë-Durrës do të ndërtohet edhe një zgjatim i ri nga gjurma ekzistuese deri në aeroportin Nënë Tereza.

Nga ana tjetër rritja e cilësisë së shërbimit dhe investimi në fjalë do të rrisë çmimin e biletës për qytetarët deri në 200 lekë. Sipas të dhënave të Hekurudhës Shqiptare në muajin korrik një qytetari i ka kushtuar udhëtimi vajtje-ardhje nga Kashari në Durrës vetëm 110 lekë.

Rreth 60 mijë qytetar zgjodhën trenin si alternativë udhëtimi në vitin 2019, shifër që pritet të rritet me investimin e ri.

Udhëtimi pritet të jetë më komod, por edhe më i kushtueshëm. Sipas parashikimeve pas përfundimit të investimit një biletë do të kushtojë 1.5-2 euro, dhe vajtje-ardhje çdo qytetar duhet të paguaj nga 3 deri në 4 euro. Gjithsesi, qytetarët janë ende në pritje që të kenë më në fund shërbimin e transportit me tren, si të gjithë qytetarët e tjerë në Europë.

Tenderi për projektin e hekurudhës ka hyrë në fazën përfundimtare, kur pritet të hapen edhe ofertat financiare./ shqiptarja.com


Shtuar 28.08.2020 15:57