Grushta policisë, arrestohet 53 vjeçari në Fier

Një 53-vjeçar është vënë në pranga në fshatin Kallmë të Fierit dhe rrezikon dënimin me 5 vite burg për shkak të akuzës që i është ngritur nga policia.

Ai ishte pjesë e një konflikti në fshat, për të cilin policia u informua dhe shkuan në vendngjarje për të shuar sherrin.

Por uniformat blu janë përballur me kundërshtimin dhe dhunën e 53-vjeçarit me inicialet B.B. Ai është arrestuar dhe akuzohet për goditje për shkak të detyrës.

NJOFTIMI I POLICISE

Goditi punonjësin e Policisë për shkak të detyrës, arrestohet në flagrancë 53-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

B. B., 53 vjeç, banues në fshatin Kallmë, Fier.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë ditës së djeshme, pas një telefonate të ardhur në Sallën Operative se në fshatin Kallmë kishte një konflikt, në vendngjarje ka shkuar patrulla e Policisë, e cila është kundërshtuar me dhunë nga shtetasi B. B. Gjatë momentit të shoqërimit, 53-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë dhe ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e patrullës së rendit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 5 vite burg.


Shtuar 20.06.2020 08:22