Grekët “zbulojnë” arsyen e shkarkimit të ambasadores shqiptare në Greqi: Vjedhja e 100 pasaportave

Mediat greke kanë reaguar pas shkarkimit të ambasadores shqiptare në Athinë, Ardiana Hobdari.

Pas këtij vendimi të ministrit në detyre Gent Cakaj, mediat greke shkruajnë se shkak është bërë vjedhja e 100 pasaportave shqiptare vitin e kaluar në kryeqytetin grek.

Sipas medias greke, Hobdari është e përfshirë në ngjarjen e ndodhur më 13 shkurt të 2019, ku nga makina e konsullit të përgjithshëm të Janinës, Pervin Gjikuria, u vodhën 100 pasaporta nga 300 që ndodheshin brenda në mjet.

“Hobdari dhe Gjikuria janë të përfshirë në rastin e vjedhjes së 100 pasaportave nga një makinë e trupit diplomatik shqiptar që ishte në tokën Greke.

Automjeti, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i përket Previn Gjikurias.

Në të njëjtën deklaratë thuhet se konsulli në fjalë kishte marrë përsipër detyrën e transferimit zyrtar të pasaportave në Athinë dhe dorëzimin e tyre në ambasadën shqiptare.

Vjedhja ndodhi në 13 shkurt, natën vonë, në Thesio, ku u vandalizua automjeti i konsullit shqiptar“, thuhet në artikullin e publikuar nga media greke.


Shtuar 8.07.2020 14:26