Goditet grupi i trafikantëve në Britani: Disa shqiptarë midis 12 të arrestuarve

Pas një hetimi ndërkombëtar për kontrabandën e migrantëve në Britani të Madhe me anije përmes kufirit me Belgjikën, kanë rënë në pranga 12 persona, mes tyre edhe shqiptarë.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, oficerët e policisë kryen kërkime në pesë adresa në Bradford, Wakefield dhe Grimethorpe të Britanisë.

Një 34-vjeçar shqiptar përfundoi në pranga me dyshimin e hyrjes së paligjshme në Britani të Madhe dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Po ashtu edhe një shqiptar 24-vjeçar u arrestua në Wakefield, i dyshuar për hyrje të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Rreth 9,000 paund dhe rreth 60 bimë kanabis u kapën në operacionin e policisë.

Më herët gjatë ditës, si pjesë e të njëjtit hetim, autoritetet belge arrestuan 10 persona dhe sekuestruan një armë, pas kontrollit në 12 adresa kryesisht në rajonin e Liege.

Arrestimet pasuan një incident që ndodhi më 4 dhjetor të vitit të kaluar, kur 14 shqiptarë u arrestuan me dyshimin se hynë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme përmes një anijeje që zbarkoi në portin e Southwold. Zyrtarët e Emigracionit mbi këtë incident filluan edhe një hetim.

Chris Philp, Ministri për çështjet e Emigracionit, tha lidhur me arrestimet e fundit:

“Këto arrestime u bënë si pjesë e një hetimi të vazhdueshëm për një grup të dyshuar të krimit të organizuar të përfshirë në kontrabandë njerëzish. Ne besojmë se arrestimet e bëra sot në Mbretërinë e Bashkuar dhe Belgjikë do të kenë prishur ndjeshëm aktivitetet e grupit”.

“Kontrabanda me njerëz është një krim i neveritshëm që i trajton migrantët si ngarkesë njerëzore nga të cilat përfitohet. Duke punuar me partnerë brenda dhe jashtë vendit, ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka mundemi për të çmontuar rrjetet kriminale të përfshira në imigrim të paligjshëm”.


Shtuar 25.06.2020 17:13