Gjyakta Apeli vendos masën ‘detyrim paraqitje’ për ish- kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku.
Kajmakun u vu në prangat e policisë dy netë më parë pasi u paraqit në një spital privat për shkak të komplikacioneve me shëndetin.
Ishin mjekët e spitalit që bënë të mundur dorëzimin e Kajmakut në polici, ndërkohë që pas disa muaj arrati u la sot i lire.
Prokurorja e çështjes Arta Marku ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje për shkak të gjendjes shëndetësore.
Agim Kajmaku u ndalua në spitalin privat në Tiranë, pasi ishte paraqitur atje në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi vuante nga diabeti. Mjekët pasi e kanë identifikuar kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila më pas ka bërë arrestimin e ish-kreut të bashkisë.
Kajmaku akuzohet për “falsifikim i vulave dhe formularëve”, “falsifikim i dokumentave zyrtare” dhe “kryerja e funksionit pas dhënies së tij”, dhe prej muajsh ishte shpallur në kërkim nga ana e policisë.
Po ashtu ndaj tij rëndon edhe akuza e ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të tyre, pasi ditën e fundit kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ndërpreu mandatin, ai shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë.
Në të njëjtën ditë, në vend të tyre ai emëroi nënkryetar Gentian Picari. Akuza e tretë është ajo e falsifikimit të dokumenteve shtetërore.
Kajmaku ishte në kërkim që prej muajit nëntor, për emërime të paligjshme, pasi u zbulua se kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit.
Ish-kryebashkiaku socialist nuk deklaroi dënimin e tij në Greqi kur kandidoi në zgjedhjet vendore të qershorit 2019.
