Fshihej në një banesë me qira, si u kap në flagrancë krimineli në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar një person i dënuar për disa vepra penale, i shpallur në kërkim kombëtar.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas me profil të lartë kriminal, i shpallur në kërkim, i cili fshihej në një banesë të marrë me qira, shërbimet e Policisë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinata”, në kuadër të të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi S. R., 32 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, për shkatërrim prone, për armëmbajtje pa leje dhe për organizim të lotarive të palejuara.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 6, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, si dhe e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 6.05.2020 12:03