Eliminimi i gjyqtarit Konomi, kush është “faqedjeguri” i dyshuar si autori i atentatit

Top Story, ka siguruar të dhëna ekskluzive nga dosja hetimore rreth provave dhe dëshmive që hedhin më shumë dritë rreth ngjarjes. Referuar dosjes, i pari person i dyshuar i vendosur nën survejim ishte Edison Harizaj, i forti i Vlorës i njohur me nofkën “faqedjeguri”, i ekzekutuar në një atentat në Durrës në vitin 2018. Për disa kohë, ai u mbajt nën përgjim, por nuk kishte asnjë fije që e lidhte me krimin e rëndë.

Ditën e krimit, një person kontaktoi vullnetarisht policinë dhe rrëfeu se ka parë personat që i vendosën tritolin gjyqtarit në makinë. Dëshmitari L.C. , që për arsye sigurie ne po zbulojmë vetëm inicialet e tij, ishte puntor në një kantier ndërtimi përballë banesës së Konomit në zonën e Ujit të Ftohtë.

Kam parë dy persona me një benz 270 ngjyrë gri, që shikonin gjithë kohës nga banesa e gjyqtarit. Njëri prej tyre ishte një person me flokë të shkurtër, me tipare esmere, fytyrë të rrumbullakosur dhe një tatuazh të madh te supi

Top Story ka zbuluar edhe pjesë nga dëshmia e Julian Sinanajt, kreut të bandës që kryente vrasje të porositura me tritol. Edhe ai ka dhënë përshkrime të njëjta fizike, për personin që mendohet se ka vendosur tritolin. Sinanaj i ka orientuar prokurorët drejt emrit të Genis Mëhillajt, me specifikimin e tatuazhit karakteristik te supi, por pa ia përmendur emrin në asnjë moment. Sipas këtij të fundit, porosia ka ardhur nga një grup i fuqishëm në Durrës. Hetimet e prokurorëve nuk nxorën në dritë prova që të implikonin Mëhillajn.

Rrëfimi i Sinanajt, por edhe dëshmitarit L.C. u morën me rezerva. Ky i fundit madje rezultoi me probleme mendore sipas një ekspertimi mjeko-ligjor të kryer. Por, prej asaj kohe ai ka humbur gjurmët, pasi është kërcënuar disa herë me jetë.

Kërcënimin e fundit, ai e ka marrë në 24 Tetor të vitit 2011, pikërisht ditën kur në Durrës u ekzekutua nëndrejtori i Shërbimit Informativ për zonën Isa Çopa. Ai u gjet i djegur brenda mjetit të shkrumbuar në zonën e Currilave. Disa orë më parë, ai i kishte çuar djalit një mesazh lamtumire, çka bëri që ngjarja të hetohej si vetëvrasje. Pas disa muajsh, ekspertiza e kryer në Gjermani zbuloi se ai ishte dhunuar me sende të forta në kokë. Në momentet që është djegur me benzinë, Çopa ka qenë ende gjallë.

Çopa, në atë periudhë ishte angazhuar të hetonte vrasjen e Skerdilajd Konomit dhe grabitjen e pronave në bregdetin e Gjirit të Lalzit. Për këtë ngjarje, askush nuk ka guxuar të flasë. Ne tentuam të intervistojmë të afërm të tij, por na refuzuan. SPAK, konfirmon zyrtarisht për Top Story se Çopa, është vrarë për shkak të detyrës. Tre muaj para vrasjes së gjyqtarit, familja Konomi dhe të tjera me të, sapo kishin fituar në gjykatë kthimin e mijëra hektarëve tokë në Gjirin e Lalzit.

“U përjashtua motivi që të kishte bënte me detyrën”, – tregon Gerd Hoxha, gjyqtarë.

Në atë periudhë, Konomi ishte vënë vetë në krye të betejës ligjore në shkallët e sistemit gjyqësor dhe shihej nga ata që kërkonin të merrnin pronat, si potencial i vështirë për tu mundur në shkallët e drejtësisë. Kjo ishte dhe mbetet pista e vetme e vrasjes së gjyqtarit.

“Për gjëra të tilla nuk kam diskutuar asnjëherë, ndoshta për shkak faktit që isha gjyqtar Tiranë, çështja ishte në Durrës por edhe për shkak të faktit se ishte shumë i matur, nuk donte të vinte në siklet, nuk donte të përfitonte që ishte gjyqtar e të bënte të tilla ndërhyrje”, – tregon Gerd Hoxha, gjyqtarë.

Në gjithë rrugëtimin në shkallët e drejtësisë për pronat, Konomi nuk kishte pasur asnjë kërcënim. Kjo, dukej se ishte një metodë tipike mafioze e krimit të organizuar që nuk paralajmëron, por asgjëson.
“Në takimet që unë kam pasur së fundmi me Skeridinn nuk kujtoj ndonjë situatë të tillë, ishte shumë i fortë, nuk është se tregonte gjithmonë djalë i qeshur”, – tregon Gerd Hoxha, gjyqtarë.

Si u ekzekutua Skerdilajd Konomi
Ishte data në 9 shtator e vitit 2011. Atë mëngjes, gjyqtari i ri Skerdilajd Konomi ishte me mjaft nxitim për në punë. Ishte një ditë e ngarkuar me disa gjyqe.

Mjeti me të cilin ai lëvizte zakonisht, ishte me gomën e shfryrë. I shkujdesur dhe në nxitim, 33-vjeçari nuk mendohet dy herë. I hipën mjetit tjetër të familjes, një benz model i vjetër tip 250, i cili përdorej kryesisht nga bashkëshortja e Konomit.

Skerdi, nuk arriti kurrë të shkojë në gjykatë. Vrullin ia ndali një shpërthim i fuqishëm i veturës. Skena ishte më shumë se e tmerrshme. Ishte e qartë se bëhej fjalë për atentat me tritol. Ekzpertiza më pas tregoi se kishin qenë të paktën 400 gramë C4 e montuar brenda mjetit, poshtë sediljes së drejtuesit.

“Ngjarja më e tmerrshme që kam përjetuar në jetën time shoqërore po edhe atë profesionale. Ikja e tij nga kjo botë ishte vërtetë e tmerrshme, dhe shumë e dhimbshme, më të dhimbshme e bën fakti se ende sot nuk është gjetur motivi”, – tregon Gerd Hoxha, gjyqtarë.

Autorët e krimit makabër kishin marrë çdo masë që goditja të rezultonte efektive dhe ia arritën. Skerdi ndërron jetë pas pak çastesh, në një skenë makabër ku gjithçka transmetohej LIVE nga kamerat e televizioneve. Autoriteti i shtetit ishte tronditur dhe nëpërkëmbur. Për herë të parë, një gjyqtar ekzekutohej në atë formë në Shqipëri.

“Ishte një… sikur donin që ti tregonin gjithë shtetit, jo vetëm pushtetit gjyqësor, që të ketë kujdes kur bën veprime të cilat nuk u pëlqen atyre që janë anëtarë të botës së krimit”, – tregon Gerd Hoxha, gjyqtarë.
Ishte e qartë se me atë lloj brutaliteti, po jepej një mesazh. Karriera e shkurtër prej rreth 5 vitesh si gjyqtar, nuk e justifikonte vrasjen makabre ndaj Skerdilajdit. Grupi hetimor hulumtoi dosjet që ai kishte pasur në dorë si gjyqtar. Asnjëra prej tyre nuk kishte një ngarkesë të tillë sa të justifikonte atë lloj krimi.

“Edhe gjatë punës së tij si gjyqtar ka treguar vërtetë vlerat e një profesionisti, një njeriu të mirë në radhë të parë. Ai zgjodhi që të ushtronte detyrën e gjyqtarit në qytetin e lindjes. Sa e lehtë është të fillosh punë në qytetin e lindjes, aq e vështirë bëhet për gjyqtarët se do kesh të bësh me zgjidhjen e konflikteve me bashkëqytetarët që i njeh që fëmijë”, – tregon Gerd Hoxha, gjyqtarë.

Hulumtimet u shtrinë në kohë për të parë nëse gjyqtari kishte pasur konflikte. Asnjë e dhënë e tillë nuk dilte. Ai, njihej si një person miqësor, i shoqërueshëm dhe zgjidhës i konflikteve. Këto kujtojnë edhe miqtë e tij.
“E mbaj mend gjithmonë të qeshur, kishte një të qeshur karakteristike, luanim futboll bashkë, ishte lojtar shumë i mirë, luanim bilardo. Ishte tip shumë sportive, por edhe student shumë i mirë. Po, ishte një djalë me këmbë në tokë” – tregon Gerd Hoxha, gjyqtarë


Shtuar 4.03.2020 09:58