Ish-kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, numri dy i kësaj partie, Edi Paloka, i është përgjigjur përmes një statusi në Facebook deklaratave të kryeministrit Edi Rama.
Në Kongresin e PS-së, Rama tha se partia që ai drejton është e gatshme të fitojë një mandat të tretë, në zgjedhjet e ardhshme.
Paloka në reagimin e tij i jep kryeministrin “shansin” të zgjedhë mes dy opsionesh: nëse do pranojë të largohet me votë apo si Gadafi, duke shtuar se shumica e shqiptarëve dëshirojnë këtë të dytën.
Postimi i plotë i Edi Palokës:
Kërkon 800 mijë vota dhe mandat të tretë…!
Kryeministri më i urryer , të cilin shqiptarët mezi po presin ta qërrojnë një orë e më parë, kërcënon se do të tentojë një mandat të tretë.
Asnjë shans nuk ka të pengojë rrotacionin! Asnjë makinacion nuk e ndal më largimin e Ramës nga pushteti.
E vetmja gjë për të cilën Rama mund të marrë vendim tani , është nëse do pranojë të largohet me votë apo si Gadafi. Kjo zgjedhje është në dorë të tij, sepse shqiptarët e kanë marrë tashmë vendimin e tyre. Shumë prej tyre, në fakt, do preferonin që Rama të bënte zgjedhjen e dytë; një fund si Gadafi…!
