Rama pranon gabimin me videon e tmerrshme nga Algjeria: Kërkoj ndjesë! (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka pranuar gafën e bërë me videon e postuar sot, ku shihej se si forcat e ushtrisë dhunonin qytetarët në rrugë.

Kryeministri shkruante se videoja është xhiruar në Spanjë për shkak te mos respektimit të masave kundër COVID-19, duke kërcënuar qytetarët e pabindur shqiptar me të njëjtin reagim nga ushtria.

Por pas akuzave të qytetarëve dhe zhurmës që krijoi videoja, e cila realisht është xhiruar në Algjeri gjatë një proteste, Rama ka kërkuar ndjesë.

“Ndjesë sinqerisht për pasaktësinë e paqëllimshme…”- shkruan ndër të tjera kryeministri Rama.

Kryeministri Rama:

🔴 Videon e postuar diku më parë, ku shkruhet se ka ndodhur në Spanjë, ma dërgoi një mik shqiptar nga Italia, i cili padiskutim ashtu e dinte dhe i dëshpëruar me ca pamje sot paradite në tregjet e Tiranës, më shkruante “Shikoje ç’bën policia në Spanjë”!

E postova jo pa qëllim pas mesazhit tim të sotëm, ku ju thashë hapur se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga forcat e rendit dhe tani mora vesh që qenkan pamje nga Algjeria!

Ndjesë sinqerisht për pasaktësinë e paqëllimshme, që paska frymëzuar edhe një deklaratë gjithë akuza e budallallëqe të Partisë Demokratike! Rashë edhe unë njëherë viktimë e “qytetarit dixhital”

Por, duke qenë se as “qytetari” në fjalë, as unë dhe as shumica dërrmuese e juaja që ka komentuar pozitivisht në atë postim, nuk kemi pasur hallin e vendit të ngjarjes, po kemi hallin e madh të nevojës për reagimin e domosdoshëm me zero tolerancë kundër atyre që na rrezikojnë të gjithëve, me sjelljen e tyre të papërgjegjshme, postimi nuk do të lëvizë nga vendi dhe mesazhit të tij i qëndroj 100% natyrisht! /albeu.com/


Shtuar 21.03.2020 17:43