Drejtuesi i lartë i Policisë: Nuk ka tolerime, janë ndëshkuar rreth 6 mijë qytetarë!

Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Albert Dervishi nënvizon edhe një herë se nuk do të ketë tolerime për qytetarët në lidhje me zbatimin e masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Sipas tij, nga dita e hënë e kësaj jave kanë nisur fashat e reja orare. I ftuar në “Opinion”, Dervishi thotë se autorizimet e dhëna më herët janë të vlefshme.

Arben Dervishi: Nga dita e hënë ka filluar një fashë e re orare për lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Për lëvizje të qytetarëve që brenda kësaj fashe orare do të kryejnë nevojat e tyre të domosdoshme. Gjithmonë do të dalin me leje në aplikacioni e-Albania.

Për çdo familje vetëm një person do të dalë të bëjë pazar. E veçanta është tek automjetet. Do të lejohen të lëvizin për nevoja pune nëpërmjet autorizimeve. Askush nuk ka thënë që ato janë zhvleftësuar. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të abuzojnë. Autorizimet janë të vlefshme kur ata lëvizin nga ora 05:00 deri në 08:00 të mëngjesit dhe të kthehen nga ora 16:00-17:30 minuta dhe jo të dali në mes të drekës.

Ne kemi një listë që është e miratuar dhe është në fuqi sipas të cilës të gjitha ato biznese që janë lejuar do të vazhdojnë aktivitetin. Një pjesë të kategorisë së veprimtarisë prodhuese që kanë të bëjnë me qytetarët shqiptarë, sigurisht që do të lejohen brenda fashave orare për të furnizuar dyqanet.

Policia e Shtetit që prej datës 16 mars dhe në vijim ka marrë si detyrim që të këshillojë dhe ndëshkojë kundërvajtësit. Ne ballafaqohemi me disa situata. Nëse dikush del pa leje dhe është këmbësor gjobitet me 10 mijë lekë të reja. Nëse del në parqe, gjobitet me 20 mijë lekë të reja.

Nëse ka një biçikletë dhe motoçikletë i bllokohet për tre muaj, nëse ka një makinë i bllokohet për 6 muaj.

Deri ditën e sotme janë 1880 masa administrative, leje drejtimi të hequra nga policia rrugore. Nga Policia e Rendit, nga dita e parë dhe deri më sot janë 6 284 masa administrative me gjobë nga të cilat rreth 5900 janë për këmbësorët.


Shtuar 15.04.2020 20:33