Do të protestonin përpara kryeministrisë, policia shoqëron mbështetësit e imamit Genci Balla

Policia e Tiranës ka shpërndarë një protestë që tentoi të mbahej përpara ambienteve të kryeministrisë ditën e sotme.

Protestuesit ndodheshin aty në mbështetje të imamit Genc Balla, i cili ndodhet në rregjimin 41 bis, për shkak se është i akuzuar për terrorizëm. Mbështetësit e tij nuk u lejuan që të vazhdonin protestën nga ana e policisë.

Kujtojmë se i dënuari Genci Balla pak ditë më parë u transportua në gjendje të rëndë në spital pasi qëndroi disa kohë pa ngrënë në shenjë greve.

Fillimisht u raportua se po kundërshtonte regjimin “41 bis”, por drejtori i burgut Bukurosh Malluta u shpreh se Balla ka refuzuar ushqimin pasi ka përbërje mishi. Sipas të dënuarit, mishi nuk ishte therur me bismilah dhe thoshte se ishte “haram”.

Balla është dërguar me urgjencë drejt spitalit të të burgosurve në Tiranë për të marrë trajtim të specializuar.

Ndërkohë drejtori i burgut të Peqinit, Bukurosh Malluta i ka thënë Abdullah Ballës, djalit të të dënuarit se gjendja e Gencit është e stabilizuar.


Shtuar 25.09.2020 16:09