Dëshmia rrëqethëse për dramën e jetës së Maks Velos, u spiunua edhe nga gruaja e tij

Historia e jetës së Maks Velos, arkitekti që u nda nga jeta në 7 maj është ndoshta një simbol se si funksiononte komunizmi duke shkatërruar shoqërinë deri në bërthamën më të fortë e të shenjtë, atë të familjes.

I denoncuar nga ish-gruaja dhe miqtë e tij ai u arrestua dhe përfundoi në burg dhe iu shkatërruan më shumë se 200 vepra arti nga regjimi diktatorial.

Në një nga rrëfimet e tij në media pas viteve ’90 ai ka rrëfyer se u njoh dhe u dashurua me një vajzë, që vetëm pas martesës do të zbulonte se ishte agjente e Sigurimit të Shtetit dhe faktori kryesor në dënimin e tij 10 vjeçar.

Shumë vite më vonë ai do të lexonte dhe dëshminë e njeriut më të afërt të tij që e çoi drejt arrestimit.

Dëshmia e ish-gruas së tij do të ishte tronditëse për Velon, aty thuhej:

“Luçiana Naraçi / Dëshmitarja u pyet rreth çështjes dhe deklaroi: Unë kam qenë e martuar me Maks Velon dhe me të kam një fëmijë. Në vitin 1976 jam ndarë nga ai dhe tani banoj pranë nënës sime. Gjatë kohës që unë kam qenë e martuar me Maksin tek ai kisha konstatuar se kishte koncepte dhe mbante qëndrim të huaj ndaj gruas. Po ashtu kisha vënë re se ai ishte i dhënë shumë pas artit dekadent dhe për këtë më ka treguar një libër të Pikasos që ia kishte dërguar një franceze, të cilën e kishte njohur përpara se të martohej me mua. Për Pikason më ka thënë se është piktor i madh.

Më kujtohet biseda me të, që më ka thënë se: “Nuk ka përse të pikturosh në mënyrë realiste për faktin se në mënyrë realiste del në fotografi, kurse piktori në çdo pikturë duhet të fusë ndjenjat e tij, kështu për rrjedhim, piktura e realizmit socialist nuk mundet që të shprehë atë që mendon ose kërkon që të shprehësh”. Në përgjithësi për pikturën me Maksin nuk kam biseduar shumë. Dua të shtoj se gjatë kohës që ai ishte i martuar me mua ka bërë edhe një skandal me një grua tjetër, të cilën unë e kam marrë vesh pasi jam ndarë nga ai”.

Maks Velo u arrestua më 14.10.1978.

Gjashtë ditë më vonë, DPB Tiranë përpiloi planin hetimor-agjenturial operativ për të. Hetimi synonte zhvillimin e një hetuesie intensive për t’i kërkuar se kur kishte filluar të pikturonte në kundërshtim me normat e realizmit socialist, si dhe me sa persona kish zhvilluar agjitacion e propagandë.

Me vendimin nr.141, datë 17.4.1979 Gjykata e Rrethit Tiranë, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 55 të Kodit Penal dhe e dënoi me 10 vjet burgim dhe me konfiskimin e pikturave, punimeve në dru e metal, si dhe revistat e huaja.

Midis të tjerash, në vendim thuhej:

“U vërtetua se i pandehuri Maks Velo, nën ndikimin e rrymave të huaja reaksionare në art si ekspresionizmi, posekspresionizmi, formalizmi, kubizmi, frojdizmi, etj, rryma këto të përfaqësuara nga Gogen, Modilian, Brek, Pikaso, Frojdi, etj, ka bërë punime në pikturë, vizatime, bakër, etj, të cilat përshkrohen tërësisht nga këto rryma, duke iu kundërvënë kështu metodës së realizmit socialist.

Punimet e bëra nga i pandehuri…janë të shkëputura nga jeta, nga problemet që e preokupojnë vendin tonë, nga heroizmi e fryma luftarake, optimizmi dhe vrulli revolucionar i masave tona punonjëse për ndërtimin e socializmit në vendin tonë, në kundërshtim me ideologjinë marksiste-leniniste e mësimet e partisë dhe të shokut Enver, në kundërshtim me metodën tonë të artit të realizmit socialist, me karakterin kombëtar dhe frymën popullore, me partishmërinë proletare dhe karakterin klasor si tipar themelor i artit tonë revolucionar”.

Maks Velo humbi jetën në moshën 84-vjeçare, nga një sëmundje e rëndë, për të cilën prej 1 muaji ishte duke marrë trajtim mjekësor në QSUT./abcneës.al


Shtuar 8.05.2020 07:21