Deportimi i fshehtë i Harun Çelik, ai refuzoi duke ulëritur (FOTO LAJM)

Nga BoldNews

Shtohen hijet e skandalit mbi deportimin “fshehtasi” të shtetasit turk, Harun Çelik, i dyshuar nga autoritetet e Ankarasë si anëtar i lëvizjes gyleniste.

Çelik, i cili sapo la qelinë e burgut 302 në Tiranë, ku përfundoi dënimin për “falsifikim pasaportash dhe vizash”, nuk ka dalë aspak në ajër të pastër. Ai është shoqëruar menjëherë nga forcat policore, të cilat fillimisht e kanë dërguar në Drejtorinë Policore të Kufirit dhe Emigracionit.

Prej aty, duke i refezuar kontaktet me mbrojtësin ligjor dhe një mikun e tij, të cilët po e prisnin për ta takuar pas daljes nga burgu, ai është marrë me dy mjete dhe është dërguar menjëherë në aeroportin e Rinasit, ku është deportuar, në një mënyrë shumë të dyshimtë drejt Turqisë, mesditën e datës 1 Janar 2019.

Një prej përfaqësuesve ligjorë të Harun Çelik, avokati E.H, deklaroi se i mbrojturi prej tij ka refuzuar me forcë deportimin. Madje, ai ka bërtitur me të madhe kundër vendimit të autoriteteve policore, të cilët e nisën si “pako postale” drejt Turqisë në vigjilje të Vitit të Ri.

Në një bisedë telefonike njëri prej avokatëve që ka mbrojtur Harun Çelik në procesin penal të zhvilluar ndaj tij për “falsifikim pasaportash”, ka pikëpyetje të mëdha mbi veprimet policore.

Sipas avokatit, Harun Çelik është deportuar drejt Turqisë, ndërkohë që ndaj tij nuk kishin përfunduar procedurat penale në Shqipëri.

Harun Çelik është dënuar në 19 Dhjetor 2019 me 8 muaj e 20 ditë burgim, pasi, në datë 8 Korrik 2019 ai u arrestua në aeroportin e Rinasit, me një vizë falso kanadeze. Njëri prej përfaqësuesve ligjorë të Harun Çelik, deklaroi se zyra e tij ishte duke përgatitur apelimin e vendimit.

“Pavarësisht se klienti Harunn Çelik përfundoi dënimin, ne sërish ishim duke përgatitur apelimin, pasi nuk ishim dakord me vendimin e dënimit. Afati për ankim nuk kishte përfunduar ende dhe ne ishim në fazën që do e dorëzonim apelimin në gjykatën e shkallës së Dytë”, thotë një prej avokatëve, duke argumentuar se nuk kishte një vendim të formës së prerë për shtetasin turk nga autoritetet shqiptare.

Ne galeri gjeni vendimin e plotë të Gjykatës së Tiranës, në të cilin, gjyqtarja Shefkie Demiraj ka shqiptuar dënimin e Harun Çelik me 8 muaj e 20 ditë burgim, më datë 19 Dhjetor 2019.

Vendimi i gjykatës paraqet edhe deklarimet e shtetasit Harun Çelik para autoriteteve shqiptare. ai ka pretenduar se, “në vendin ku ai jetonte, në Kazakistan, nëpërmjet të afërmëve të tij, ka mundur të lidhet me telefon me një shtetas, i cili quhej Kursat, dhe prej këtij të fundit është marrë përsipër që, kundrejt shumës prej 2000 dollarësh, t’i gjehej një dokument për t’i mundësuar udhëtimin për në Kanada”.

I arrestuari deklaron se “nuk është takuar fizikisht me shtetasin e quajtur Kuzej, por vetëm ka komunikuar me numra të ndryshëm nëpërmjet Whats up”.

Pas komunikimeve, ai i ka fshire numrat e kontaktit me këtë shtetas. Sipas tij, nga ana e shtetasit të quajtur Kursat, i është thënë se vizen do ta merrte në Kosovë, në qytetin e Prishtinës dhe atje ai është kontaktuar nga një person i pa njohur, i cili i ka vendosur vizën tek pasaporta.

Pasi ka marrë vizën në pasaportën e tij, ai ka prerë biletën për të udhëtuar dhe është ndaluar në Rinas.

Avokati i Harun Çelik, konfirmoi se klienti i tij ka informuar autoritetet shqiptare që në momentin e arrestimit se ai ndihej i kërcënuar nga shteti i tij, Turqia.

Gjithashtu, Harun Çelik, sipas të njëjtës bisedë telefonike, ka paraqitur të njëjtin shqetësim edhe sapo ka dalë nga ambjentet e burgut 302, paraditen e datës 1 Janar 2019.

Madje, sipas asaj që deklaroi avokati Harun Çelik ka ngritur edhe zërin, në shenjë revolte, pasi është njohur me vendimin e autoriteteve policore për deportimin e tij në Turqi.

I pyetur nëse mbrojtësi ligjor ishte i pranishëm në ambjentet e drejtorisë së Kufiriti dhe Emigracionit, ai shpjegon se një përfaqësues i zyrës ligjore, së bashku me një mikun e Harun Çelik ishin në ambjentet e jashtë të Burgut 302, në pritje të lirimit të të dënuarit.

Por z. Çelik nuk doli jashtë nga burgu. Ai u shoqërua menjëherë në Drejtorinë e Kufirit, institucioni në të cilin mund të prezantohen kërkesat për azil dhe pretendimet kundër deportimit.

“Kjo procedurë, pra kërkesa për refuzimin e deportimit, është shumë konfidenciale dhe kryhet në prani të kërkuesit dhe autoriteteve policore. Avokatët nuk mund të jenë pjesë e kësaj procedure, por vetëm përkthyesit”, thotë mbrojtësi ligjor i Harun Çelik.

Avokati nuk është në dijeni nëse klienti i tij ka qenë apo jo i shoqëruar me përkthyes në takim me autoritetet e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit.

Ai di vetëm që, pa u mbyllur procedurat me autoritetet gjyqësore shqiptare, klienti i tij, Harun Çelik, u mor me dy mjete dhe u dërgua direkt në Rinas, për nga u deportua drejt Turqisë. /boldnews.al/


Shtuar 2.01.2020 13:57