Denoncimi i fortë: Një 30 vjeçar humbi jetën në spitalin e improvizuar në Elbasan

Një denoncim i fortë është bërë pak minuta më parë nga Partia Demokratike.

Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia në një postim në Facebook ka publikuar denoncimin e një mjekeje, sipas të cilës një 30 vjeçar humbi jetën në spitalin e improvizuar të Elbasanit.

Postimi i Bardh Spahisë:

Një djalë i ri 30 vjeçar ndërroi jetë para pak ditësh në spitalin e improvizuar në Elbasan, i cili ka zëvendësuar të pazëvendësueshmin Sanatorium.

Jeta e tij shkoi dëm vetëm për shkak të kaosit të krijuar nga keqmenaxhimi i situatës me sistemin shëndetësor publik.

Sanatoriumi ka dalë jashtë funksionit, duke u izoluar si spital COVID për 5 qytetarë, spitalet e tjera janë ose në çoroditje, ose në mbingarkesë urgjencash.

Denoncimi më poshtë tregon kalvarin 24 orësh Elbasan – Tiranë- Elbasan të të riut me turbekuloz, që humbi jetën. Është fare e qartë se improvizimi skandaloz me transferimin në Elbasan të pacientëve të Sanatoriumit të Tiranës po kushton jetë!

Ky denoncim tregon sesa na kushton paaftësia e Ministrisë së Shëndetësisë, arroganca për të këmbëngulur në këtë paaftësi. Na tregon sesi cirku i pacientëve sa në Tiranë dhe Elbasan rezulton me pasoja fatale!

Zonja Ministre e Shëndetësisë, heshtja juaj nuk i mbulon dot me harresë këto denoncime! Bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe jo për video të marketingut politik, me të cilat mbush i facebook-un tuaj dhe të shefit tuaj. /albeu.com/


Shtuar 4.05.2020 18:18