Detaje të reja janë publikuar së fundmi për vdekjen e George Floyd, afro-amerikani i cili u vra barbarisht më 25 maj të këtij viti dhe i dha një shuplakë të fortë shtetit amerikan dhe racizmit.
CNN raporton se në Shtetet e Bashkuara janë publikuar dokumente që tregojnë me detaje të hollësishme momentet e fundit të jetës të 46-vjeçarit.
“Thuaji fëmijëve të mi që i dua. Unë jam i vdekur”, kishte thënë Floyd në momentet e fundit të jetës.
Po ashtu, mësohet se ai u ka thënë oficerëve edhe se ishte ínfektuar nga Covid-19 dhe se ishte klaustrofobik.
Videoja ku Floyd i lutej policëve për ndihmë ka bërë xhiron e rrjetit dhe nxiti më pas edhe protestat e dhunshme në SHBA.
“Unë jam klaustrofobik. Më dhemb stomaku. Qafa ime më dhemb. Gjithçka më dhemb. Kam nevojë për ujë ose diçka tjetër, ju lutem. Ju lutem? Nuk mund të marr frymë oficer”, ka thënë ai.
Efektivi Derek Chauvin u arrestua në 29 maj, katër ditë pas vdekjes së Floyd dhe u akuzua për vrasje të shkallës së dytë. Sakaq tre ish-oficerë të tjerë të policisë në Mineapolis, janë akuzuar si bashkëfajtorë në këtë rast.
