Një tjetër rast i dyshuar se mund të ishte prekur nga virusi kinez në Shqipëri, por fatmirësisht ka rezultuar negativ pas analizave.
Deri në datë 7 shkurt ishin pesë raste, që pas testimit rezultuan negativ dhe që sipas ministres së Shëndetësisë ishin me grip sezonal.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë deri tani në total janë gjashtë rastet e testuara për koronavirus, të cilat të gjitha kanë rezultuar negative.
Ministria e Shëndetësisë deklaron se ka marrë të gjitha masat për kontrolle pikat hyrëse të vendit, ndërsa ka bërë gati edhe karantinën, por ka theksuar se risku është shumë i ulët.
“Probabiliteti i infeksionit për popullatën në Shqipëri konsiderohet shumë i ulët dhe deri më tani nuk ka patur asnjë rast me koronavirusin e ri të importuar në vendin tonë. Deri tani në Shqipëri janë testuar 6 raste për koronavirusin e ri, të cilat pas testimit kanë rezultuar negative.
Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme: Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë urgjencën kombëtare 127!
Nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive (QSUT), janë përcaktuar bokset /dhomat e izolimit funksionale, në se do të ketë raste të dyshuara për COVID_19 dhe janë marrë masa të shtuara mbi zvogëlimin e hyrje-daljeve në Shërbimet Infektive dhe Urgjencën Polivalente” thuhet në njoftim. Numri total i viktimave nga virusi deri tani është 1369, ndërsa i të infektuarve mbi 60335.
Këshillat
Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami / letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).
Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standard të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.