Pas shpalljes së emergjencës globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për përhapjen me shpejtësi të koronavirusit të ri, edhe vendi ynë i ka përforcuar masat për përhapjen e këtij virusi në Shqipëri. Por sa të rrezikuar ndihen shqiptarët nga koronavirusi?
A ndjeheni të rrezikuar nga koronavirusi?
Jo, jo, jemi të mbrojtur, jemi vaksinuar. Lajmë duart, nuk shkojmë nëpër lokale, edhe kaq.
“Për momentin jo akoma”.
“Jo se besoj të vijë deri në Shqipëri, tani Europë jemi bo vaki edhe vjen po e shof të pamundur unë”
“Ca të jetë kismet prej Allahut”
A merrni masa?
“Çfarë masash të marrësh? A do dalësh në rrugë”
“Jo fare. Nuk e di, nuk më duket gjë, në Shqipëri nuk është se kemi shumë turistë dhe këtu nuk është se ndodhë shumë”
“Po ndihemi të rrezikuar. Nuk kemi marrë asnjëlloj mase”
“Për momentin jo. Po kemi marrë masat e higjenës që merr çdo njeri”
“Për momentin jo, se besoj. Jo nuk kam marrë asnjë masë, kur të vijë në Shqipëri do marrim besoj”-u shprehën disa prej qytetarëve
E përsa u përket masave parapërgatitore të marra nga Ministria e Shëndetësisë qytetarët mbeten skeptik.
“Besim nuk kemi fare po ca të bëjmë tani, do ruhemi vetë”
“Nuk besoj se janë efikase”.
“Ku ka masa për atë punë”.
“Nuk ma merr mendja, asnjë gjë nuk e kanë seriozisht këta, po të na ruaj zoti e të ruhemi vetë se për këta”
“Nuk besoj asnjë gjë, nuk besoj, nuk kam besim”
“Nëse situata do të bëhet serioze, mendoj se normalisht do të funksionojnë, kanë funksionuar dhe në rastet e viruseve të mëparshëm”– thanë një pjesë e qytetarëve
Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar nga Koronavirusi i ri dhe në mungesën e linjave ajrore direkte me Kinën, udhëtimin e shqiptarëve atje dhe anasjelltas, rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët.
Përsa i përket shqiptarëve që ndodheshin në Kinë është evakuar studentja e fundit shqiptare nga qyteti kinez Ëuhan, përmes bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me ato turke. Studentja Silva Doçi ka udhëtuar me një avion turk me 45 persona të evakuuar dhe ndodhet në Ankara. Nga testet që i janë kryer ajo ka rezultuar të mos jetë prekur nga koronavirusi. Por megjithatë, do të qëndrojë në karantinë për 14 ditë, që është dhe koha kur virusi shfaq shenjat, së bashku me të gjithë të evakuarit.
Ndërkohë që deri më tani në nivel global janë 11955 raste të konfirmuara me kronavirusin e ri dhe janë shënuar 259 vdekje. 22 shtete përveç Kinës janë të përfshira në rastet e koronavirusit./report tv