Çfarë ndodhi te skena kritike e “Dedës” në shtyllë, rrëfehet Saimir Kumbaros (FOTO LAJM)

“Stanislavski thoshte që në radhë të parë duhet të jesh njeri, pastaj artist. Rikard Ljarja ishte njeri, por edhe artist i madh”.kumbaro

Saimir Kumbaro kapërdin dhimbjen për humbjen e kolegut-mik dhe përpiqet ta nderojë përmes kujtimeve. Me kineastin e kanë lidhur më tepër edhe bashkëpunimet në filma, si “Rrugë të bardha”, “Ilegalët” apo “Rrugicat që kërkonin diell”.

Dashuria për filmin, por edhe rrethanat e jetës, bënë që miqësia e tyre të bëhej më e fortë, e vitet e fundit, siç regjisori tregon, rrokeshin në të shkuarën përmes kujtimeve. Kujtime që u shkaktonin humor si batuta e Ljarjas në restorantin e oficerëve, ku kishin shkuar për të ngrënë një kafshatë bukë gjatë realizimit të filmit “Yjet e netëve të gjeta”. Apo të tjera që i bënin nostalgjik veçanërisht për punën në Kinostudio, pavarësisht vështirësive, si në rastin e xhirimeve të “Rrugë të bardha”, ku siç regjisori rrëfen, u është dashur të flinin deri 3-4 veta në një dhomë.

“Madje as aty s’mund të rrinim, pasi duhet të ishim në gatishmëri e të prisnim dëborën që të binte”, tregon ai për “Panoramën”. Për këtë film, ku aktori gdhendi edhe një nga rolet më të rëndësishëm, Kumbaro tregon edhe momentin kritik të realizimit të skenës me Dedën në shtyllë. Një lopatë me guralecë dëbore që hidhet në portretin e Ljarjës, në temperatura ekstreme, një ventilator që ndihmon realizimin e skenës, e aktori që s’bëzan, ndonëse gjysma e fytyrës i ishte mpirë… “Ky ishte Rikardi”, – thotë Kumbaro, ndërsa provon të fsheh zërin që i dridhet.Rikard Ljarja

Zoti Kumbaro, aktori dhe regjisori Rikard Ljarja nuk është më midis nesh. Boshllëku që ka lënë te familjarët, miqtë edhe kolegët është i madh, por kur e keni takuar ju për herë të fundit, cilat janë bisedat që keni ndarë me të?

Rikardi prej 2 muajsh e gjysmë nuk dilte më nga shtëpia, pasi prej sëmundjes zuri shtratin. Sëmundja qe mjaft e vështirë dhe ai vuajti shumë, ndaj nuk donte ta shikonim në atë gjendje. Megjithatë, ne komunikonim përmes telefonit. Kur flisnim, i thosha “zërin e ke mirë, do ta mposhtësh sëmundjen”. Mundohesha ta mbaja me gajret…, por fati nuk desh…

Si mik në jetë dhe koleg në profesion, por nëse kthehemi në retrospektiv si jeni njohur me Rikard Ljarjen?

Me Rikardin jam njohur qysh në vitet studentore, ndonëse ai ishte disa vite para meje. Fillimisht, ai punoi në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, e më vonë erdhi në Tiranë, ku po angazhohej edhe në kinematografi në filma, si “Komisari i dritës” dhe “Dueli i heshtur”. Në këta filma, Rikardi tregoi vlerat e tij, si aktor kinemaje, duke plotësuar kriteret për të qenë sa më natyral, pra i besueshëm në interpretim. Kështu, ai u shkëput nga teatri, duke iu përkushtuar filmit, ku punoi si aktor në dhjetëra filma e më pas edhe si regjisor e skenarist.rikard Lajarja5

Keni realizuar me të edhe “Rrugicat që kërkonin diell”, si lindi ky bashkëpunim?

Me Rikardin kemi pasur marrëdhënie shumë të mira miqësore, madje edhe shtëpitë i kemi pasur 30 metra larg, në zonën e ish-Kinostudios, çka na ka afruar edhe më shumë. Më pas, ai u zhvendos prej aty, për te tregu “Çam”, por raportet ne i kemi ruajtur gjithmonë, veçanërisht vitet e fundit, kur për ne pensionistët miqësia, kujtimet bëhen dhe më të shtrenjta.

Dhe ne i riktheheshim herë pas here të shkuarës, ndonjëherë me humor, por edhe me nostalgji e trishtim… Kujtonim episode si ai i xhirimeve tek “Yjet e netëve të gjeta”, ku një ngjarje ndoshta edhe pa rëndësi u kthye gati në barsoletë që e përmendnim herë pas here, por edhe që tregon për natyrën strikte të Rikardit. Gjatë realizimit të këtij filmi bashkë me Rikardin, Ndrek Lucën,dhe piktorin Azis Karalliu shkuam në një restorant oficerësh për të ngrënë ndonjë pjatë grosh, sepse aq ishin dietat asokohe.

Aty ishin disa oficerë dhe kamerierja na kërkoi të prisnim sa të largoheshin ata për të na shërbyer. Dhe ashtu bëmë. Më pas, ajo solli porosinë për të gjithë, por Azisi që ishte me ulçër i tha me mirësjellje: “Më fal po unë nuk mund t’i ha, se më bëjnë dëm”. Rikardi, duke parë se kamerierja u vu në siklet, i tha kolegut: “Do t’i hash dhe do t’i paguash”. Kjo shkaktoi të qeshura asokohe, por edhe më vonë ngeli mes nesh si batutëpjimage (4)

Ndërsa në filmin “Rrugë të bardha”, ju ishit si asistent/ regjisor, çfarë mbani mend ndonjë episod të veçantë gjatë këtij filmi, në të cilin Rikardi gdhendi një nga rolet më të spikatur, atë të Dedës?

Rikardi ka qenë gjithnjë shumë vetëmohues. Kujtoj se në këtë film, mjetet teknike ishin në një gjendje skandaloze. Për të realizuar xhirimet përdornim një ventilator. Ndërsa për skenën ku Deda është në shtyllë, kujtoj se një nga teknikët mori një lopatë me dëborë të ngrirë dhe ia hodhi Rikardit në portret. Temperaturat ishin tepër të ulëta, bora e shkrirë kishte krijuar disa guralecë të vegjël gati si zhavorr dhe në këto kushte, menduam se Rikardi ngriu në mes të shtyllës.

Ai nuk u ankua, s’tha as gjysmë fjale, por iu mpi gjysma e fytyrës. Patëm frikë mos pësonte ndonjë ishemi cerebrale, por ai e përballoi me kurajë dhe ia doli mbanë. Mjafton kjo ngjarje për të kuptuar vetëmohimin, korrektesën dhe disiplinën e këtij aktori në punë. Stanislavski thoshte që në radhë të parë duhet të jesh njeri pastaj artist. Rikardi ishte njeri, por edhe artist i madh.

Te “Rrugicat që kërkonin diell” keni qenë bashkëregjisor më Ljarjen, por ai ishte dhe aktor në këtë film, si e kujtoni këtë bashkëpunim?deda

Rikardi ishte njeri shumë paqësor. Nuk ishte aspak konfliktual e nuk vuante nga sindroma e të qenit protagonist. Në këtë rast, ndonëse ai kishte më shumë eksperiencë dhe kishte interpretuar në dhjetëra filma, nuk ma vuri asnjëherë në dukje diçka të tillë. Përkundrazi, ishte shumë i thjeshtë dhe më bënte të ndiheshim të barabartë.

Qe i vështirë realizimi i këtij filmi?

Kushtet bazike na i plotësuan, por vështirësitë ishin teknike, sepse mjetet e ndriçimit dhe ato të transportit ishin skandaloze. Jo pak herë, ne bashkë me aktorët e stafin detyroheshim të shtynim autobusin. Ndërkohë që rrinim në një radio, afër një burimi që ruanin naftë. Por duhet pasur parasysh se atëherë nuk kishim këto kushte që kanë kineastët sot, që mund të pushojnë të pinë një kafe. Ne nuk kishim njeri që të na sillte një gotë ujë.

Sipas jush, cilat ishin ato tipare dalluese, që Ljarja kishte si aktor kinemaje, aq sa përmes tyre arriti të skalit në kujtesën e spektatorëve role të tilla?

Si aktor filmi, Rikardi ishte shumë fotozhenik, portreti i tij ishte shumë i mirëformuar, saqë do të ishte tepër e vështirë që ta bëje karikaturë, nisur nga një tipar, apo karakteristikë e një personazhi. Ai ishte një aktor hero, i prerë për të luajtur role pozitive heronjsh dhe jo karakteri. Rikardi ishte aktor i tipit Marlon Brando, apo Jean Gabin, Alen Delon.

Do të ishte e vështirë që t’i vishje petkat e një roli negativ, jo për skematizëm, por nëse flasim për t’i dhënë vendin e vet një aktori, duke i dhënë rolin e përshtatshëm. Them këtë, pasi roli duhet të jetë “vëllai binjak” i një aktori, duke vlerësuar dhuntitë që i ka dhënë natyra, e më pas natyrisht që në ndihmë i vinë dhe elementet e tjera, si make-up, kostumografia etj.

Ju ishit i pranishëm edhe gjatë homazheve, si u ndjetë të përcillnit mikun tuaj në këto rrethana të pazakonta, që pandemia e Covid-19 ka imponuar?

Unë jam shumë i dëshpëruar për këtë humbje të madhe. Ajo që më dëshpëroi akoma më shumë, ishin këto rrethana në të cilat ne dje përcollëm kolegun, mikun tonë. Dje, Rikard Ljarja u përcoll nga makina e funeralit dhe dy të tjera pas saj. Në një kohë që kortezhi duhet të ishte ndryshe, qindra makina duhet të përcillnin këtë njeri.

Mendoj se në raste të tilla do të mund të bëhej edhe ndonjë përjashtim, pasi njerëzit do t’i respektonin rregullat. Është kaq dëshpëruese kjo situatë, e provuam pak ditë më parë edhe me Gëzim Krujën.

Është kaq e trishtë jo vetëm për këta artistë të mëdhenj, por për çdo njeri që ndahet fizikisht nga kjo botë, të varroset nga punonjësit e bashkisë.

Mendoj se në raste të tilla duhet të ketë tolerime, që njerëzit të mund të japin lamtumirën siç duhet. Unë nuk munda të shkoj në Shkodër, ndërkohë që e ndieja të nevojshme që tufën e luleve mikut tim të mos ia çoja në makinë, por aty ku do të prehet, në Varrezat e Katolikëve në Shkodër.

Dhe së fundmi, çfarë humbet kinematografia shqiptare me largimin fizik të Rikard Ljarjas?

Dashuria që Rikardi kish lënë mes njerëzve e kolegëve u reflektua edhe gjatë përcjelljes së tij. Shumë prej miqve, pavarësisht situatës, ishin aty. U mblodhëm të gjithë si një grup trumcakësh të pikëlluar e po vajtonim, largimin fizik të një artisti e miku të rrallë… /panorama


Shtuar 22.04.2020 15:17