Dy ditë më parë ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi se do të largohet nga Qeveria si dhe nga Shqipëria në përfundim të këtij mandati.
Lidhur me këtë deklaratë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, tha se ministrja në fillim duhet të japë llogari për disa çështje në arsim më pas të largohet.
Nuk mungoi as reagimi i Shahinit e cila tha:
“Për të gjithë ata që akoma pyesin se “Çfarë bëri Turi?”, dua t’ju rikujtoj se janë rreth 12 mijë maturantë (17-18 vjeçarë) që e kanë dhënë përgjigjen e saktë në këtë pyetje.
Pra, gjithandej në Shqipëri ka të rinj më mirë të arsimuar se sa ata që po përpiqen të kritikojnë reformat e PS-së në arsim”, shkruan Besa Shahini në Facebook.
Por çfarë tha Monika Kryemadhi?
‘Në besojmë te të rinjtë dhe duke besuar te të rinjtë arritëm gjithmonë për të fituar beteja të rëndësishme dhe në fakt për një familje gjëja më e rëndësishme janë fëmijët. Për një familje arsimimi i fëmijëve është më i rëndësishmi. Për një familje e ardhmja e fëmijëve është më e rëndësishme. Prindërit për fëmijët bëjnë çdo gjë. Prindërit për fëmijët japin jetën dhe ne si LSI gjithë bazën tonë, gjithë forcën tonë e kemi te të rinjtë dhe aty do investohemi tek angazhimi i të rinjve për t’u përfshirë ata, për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Një pjesë e juaja kanë qenë viktimë e maturës shtetërore, një pjesë tjetër janë ende të pasigurt se çdo të ndodhë me maturën shtetërore dhe pastaj dëgjomë që ministrja thotë që “unë do iki tani se mbarova punë dhe nuk rri më në Shqipëri”. Si mund të ikë ajo pa dhënë llogari për atë çfarë ka bërë? Më e pakta të na japë përgjigje se çfarë bëri Turi. Mos lejoni që të vendosin të tjerët për fatin tuaj! Vendosni ju për fatin tuaj!’, tha Kryemadhi.