Braçe poston sërish foton e tij nga ’96 ku u dhunua gjatë zgjedhjeve

Zv. kryeministri Erion Braçe ka ripostuar sërish foton nga ngjarja e 26 majit të vitit 1996 ku ai është dhunuar gjatë zgjedhjeve.

Ai e ka përshkruar atë periudhë shumë të keqe, ku nuk kishte as ushtri, as qeveri, as prokurori, as gjykatë e as ekonomi, por vetëm dhunë.

Braçe ka sjellë një panoramë të situatës së atëhershme, e cila është e ngjashme me situatën e tanishme politike, një situatë e trazuar.

Postimi i plotë i Braçes:

Në 26 maj 1996, në votimet e treta parlamentare që pas rënies së diktaturës, Partia Socialiste nuk kishte asgjë. As Presidentin, ai ishte kryetar i PD-së, as Kuvendin, as Qeverinë, as Policinë, as Ushtrinë, as SHIK, as Prokurorinë, as gjykatat e shkallës së parë, të dytë, gjykatësit ishin emëruar nga një shkollë në Plepa 6-mujore për jurist; as Gjykatën e Lartë – Zef Brozin, kryegjykatësin, e kishin përzënë me SHIK nga Shqipëria; as Gjykatën Kushtetuese, atje kishin venë kryegjyqtar dikë që ish-të përndjekurit e rrahur nga PD e shquanin si vegël të egër të ish-diktaturës. Nuk kishte as Kryetarin e partisë, ai kishte tre vite në një burg të mirëfilltë politik.

Nuk kishte as ekonominë, ajo ishte mirëfilli piramidale e ndaj saj me zor të madh flisje se një pjesë e popullit që merrte e jepte lekë me fajde, të mbyste kundër kësaj “mirëqenie”. A po, nuk kishim as Teatër, ishte bërë Bingo Ylli; nuk di nëse Budinat punonin aty, por e di që në atë teatër fati, të madhin Kadri Roshi e nëmnin si të majtë”.

Braçe shton se “nuk kishte televizione, ishte vetëm një, publik e kishte statusin, por në të cilin shfaqej veç partia në pushtet, Presidenti i saj, Qeveria, një pjesë e Parlamentit dhe Partia Socialiste vetëm kur duhej sulmuar”. Nuk kishte Zgjedhje, por kishte votime mbi bazë dhunë shtetërore, kriminale e barbare, për shkak të bindjeve politike e zgjedhjes që bëje. Në një KQZ të stërmadhe – diku te 20 anëtarë, PS kishte vetëm një.

Në komisione votimi, fiks pas orës 8:00 të mëngjesit, për shkak të dhunës shtetërore, PS nuk kishte më asnjë anëtar, por nëpër spitale ne kishim plot të tillë deri në mesditë! Ndërkohe, PS kishte shumë idealizëm, shumë fuqi prej idealizmit, bashkim, solidaritet në çdo moshë, besim e vendosmëri për të mos u dorëzuar; Kishte përfaqësim vendosur me garë, kishte të rinj ardhur nga FRESSH si kandidatë, nuk kishte interesa ekonomike e pronësore atë kohë; Zotëruesit e tyre kishin hyrë si anëtarë në Piramida – Partia e Madhe Ekonomike e Presidentit, ishin rehat aty! Kjo është Lista 26 Maj.

Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996, Partia Socialiste tërhoqi komisionerët nga të gjitha qendrat e votimit në vend pa u mbyllur procesi zgjedhor. Pavarësisht se PD-ja fitoi, PS nuk i njohu rezultatet dhe bojkotoi Parlamentin. Zgjedhjet e 26 majit u konsideruan nga ndërkombëtarët me legjitimitet të cunguar. Ndërkohë që zgjedhjet lokale të 20 tetorit 1996 u fituan nga mazhoranca demokrate, por me një diferencë më të vogël votash se ato të 26 majit. Procesi zgjedhor u pranua nga ndërkombëtarët, por u konsiderua i manipuluar nga opozita.


Shtuar 26.05.2020 18:46