“Bisha” luksoze gjendet e shkrumbuar, dyshohet se ka lidhje me pengmarrjen në Kamëz

Një mjet tip “Range Over” është gjetur i shkrumbuar në Shkallnur të Durrësit.

Mësohet se mjeti është gjetur në datën 17 janar, ndërsa lajmi është bërë publik ditën e sotme.

Policia ka sekuestruar mjetin e bardhë, pa targa, dhe po kryen verifikimet përkatëse, për të zbuluar se në pronësi të kujt ishte.

Dyshohet se mjeti i djegur mund të ketë lidhje me pengmarrjen e Jak Prengës në Kamëz.

Grupi hetimor po verifikon të gjitha karakteristikat e mjetit me të cilin u krye pengmarrja, duke i krahasuar me ato të mjetit të gjetur në Durrës.

Çfarë ndodhi në Kamëz

Jak Prengu u mor peng nga disa persona ende të paidentifikuar ditën e premte në rrugën “London” të Kamzës.

Ata e futën forcërisht në një makinë dhe u nisën drejt Fushë-Krujës, nga ku janë lokalizuar për herë të fundit, pranë Urës së Gjoles.

Deri më tani ende nuk dihet asgjë për fatin e 49-vjeçarit, ndërsa pista kryesore që po hetohet nga policia është mosshlyerja e një borxhi që pengu dyshohet se u kishte autorëve.


Shtuar 19.01.2020 10:47