Basha: Të mbyllen fasoneritë! Në rrezik 70 mijë qytetarë

“Sot kemi marrë disa lajme të këqija. Virusi ka përparuar duke krijuar vatra të reja në disa qytete të vendit. Vetëm një rritje e lehtë e numrit të testimeve na konfirmoi se sa më shumë teste të bëhen, aq më shumë të infektuar zbulohen. Në Tiranë, në Krujë, në Laç, në Shkodër virusi ka prekur disa qytetarë të tjerë. Shumica e tyre janë zonja dhe vajza që punojnë në masoneri”.

Është ky mesazhi i kryedemokratit Lulzim Basha, i cili shton se e ka përsëritur shumë shpesh këto 5 javë se fasoneritë janë ndër vatrat më të rrezikshme për përhapjen e shpejtë të virusit.

Ai thotë se pak ditë më parë ngriti shqetësimin se në një fasoneri në Shkodër punonjësve nuk u është bërë testi, megjithëse një nga koleget e tyre rezultoi pozitiv.

“Rasti i Krujës, i publikuar sot në media, është po ashtu shumë shqetësues. Tre zonja janë konstatuar të infektuara në një fasoneri në Krujë. Një nga tre zonjat ka infektuar edhe të birin. Ndërkohë raportohet se nga Kruja infeksioni është përhapur edhe në Kurbin. Dy zonja të tjera punonjëse në një fasoneri po në Krujë janë të infektuarat e para të raportuara sot në Kurbin. Aktualisht nuk ka asnjë informacion nëse janë testuar punonjëset e tjera të fasonerive në Shkodër dhe Krujë. Nëse janë testuar personat e kontaktit të këtyre punonjësve. Nuk kemi informacion zyrtar për këtë, por nga ajo që raportojnë mediat në Shkodër, Krujë dhe Kurbin, atyre thjesht u është kërkuar të vetizolohen”, shprehet kryetari i PD.

Ai thotë se kjo e rrit edhe më shumë rrezikun e përhapjes, nëse edhe punonjëse të tjera janë të infektuara dhe se rasti i përhapjes nga fasoneria e Krujës në dy zona të ndryshme në Kurbin është një kambanë alarmi.

Basha shprehet se opozita e ka patur informacionin e infektimit në fasonerinë e Krujës që dy ditë më parë dhe ka informuar autoritetet në mënyrë institucionale, në minutat e para të marrjes së këtij informacioni, dhe se është për të ardhur keq që qeveria vepron me shumë vonesë, pasi ajo është e prirur të mohojë dhe pastaj të veprojë.

“Rastet e infeksionit në fasoneri dhe përhapja e tyre me shpejtësi të frikshme kërkon ndërhyrje urgjente nga qeveria. Nuk ka më kohë për refuzime kokëforta pa argumentë! Qeveria duhet të urdhërojë mbylljen e fasonerive në të gjithë vendin. Bashkë me to duhet të mbyllen të gjitha vendet me grumbullime të mëdha punonjësish. Është në përgjegjësinë e qeverisë të ndalojë përhapjen e virusit tek qytetarët”, deklaron kryedemokrati.

Mbylljen e fasonerive dhe bizneseve të tjera me përqendrim të madh punonjësish, sipas Bashës, qeveria duhet ta shoqërojë me masa konkrete për mbështetjen financiare të punonjësve dhe biznesit.

Sipas tij, për asnjë arsye qeveria nuk duhet të çojë dëm sakrificën e shqiptarëve në këto 5 javë izolim, vetëm e vetëm sepse refuzon të rialokojë para nga koncesionet tek qytetarët.

Ai thotë se është e domosdoshme që autoritetet të mundësojnë pa vonesë testimin e të gjithë punonjësve në fasoneritë e prekura dhe se kjo jo vetëm ndalon përhapjen e virusit, por ju jep siguri punonjësve për shëndetin e tyre dhe të familjarëve.

Në këtë linjë shprehet se duke marrë këto masa, mbylljen e fasonerive, testimin, gjurmimin, mbështetjen financiare, mundësohet shmangia e rrezikut për infektimin e 70 mijë qytetarëve.

“Kjo ka një faturë financiare jo më shumë se 15 milionë euro. Ky fond mund të çlirohet direkt nga anulimi i tre koncesioneve për inceneratorët. Vazhdimi i përhapjes së virusit në këto momente, që sjell për pasojë zgjatjen e izolimit të qytetarëve dhe bllokimit të ekonomisë do të na kushtojë shumë më shumë se sa paga e këtyre punonjëseve sot.

Shëndeti i qytetarëve dhe ruajtja e vendeve të punës duhet të jenë prioriteti numër 1 i qeverisë”, thotë në mbyllje Lulzim Basha


Shtuar 17.04.2020 14:25