Basha mesazh gazetares në emision? Reagon ashpër ndaj Ramës Partia Demokratike

Partia Demokratike ka bërë një postim në rrjetin social Facebook në lidhje me një me mesazh të dërguar mbrëmjen e djeshme në telefonin e gazetares Eni Vasili, me pretendimin se ishte nisur nga Lulzim Basha.

Në mesazh, “Basha” i kërkonte gazetares që ta pyeste Ramën nëse do ja linte karrigen që të drejtonte vendin si kryeministër.

Por PD mohon që ky mesazh të jetë i tiji dhe se ky është një akt i paligjshëm.

Deklarata e plotë e PD-së

Shqiptarët kërcënohen nga rreziqe të mëdha. Edi Rama ndal sulmet politike, fillo bëj punën për të cilën paguhesh.

Dje në emisionin Open është dërguar një mesazh i sajuar me pyetje drejtuar Edi Ramës nga gjoja numri i telefonit të Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky mesazh i sajuar në mënyrë të paligjshme është një akt i turpshëm i atyre që duan të fshehin keqmenaxhimin e krizës.

Ata që sajojnë mesazhe në emër të kryetarit të opozitës, duke ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në telefonin e gazetarëve, mund ta bëjnë këtë akt të rrezikshëm me çdo qytetar. Ne do t’u kërkojmë organeve përgjegjëse të zbardhin këtë skandal kriminal për të zbuluar me prova autorët dhe për ti ndëshkuar ata sipas ligjit.

Edi Rama duhet të ndalë menjëherë lojërat e pista dhe luftën politike me mesazhe fallso, njerëz fallso dhe propagandë të skaduar kundër opozitës. Ai duhet t’u kthejë sot shqiptarëve lekët e taksave për të përballuar krizën e bukës që po thellohet nga mbyllja e vendeve të punës.

Thirrja jonë për Edi Ramën është: Mirato urgjentisht paketën e ndihmës! Shqiptarët kërcënohen nga rreziqe të mëdha. Ndal sulmet politike, fillo bëj punën për të cilën paguhesh!


Shtuar 19.03.2020 08:31