“Këto ditë të emergjencës kur duhet të gjithë të zbatojnë udhëzimet, vendimet dhe urdhrat e qeverisë dhe ekspertëve, më i rrezikshëm se koronavirusi është përhapja e panikut. Dhe më e ndyrë se përhapja e panikut, është përhapja e qëllimshme e panikut”.
Kështu thotë kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i cili shton se në Shqipëri këtë fushatë të turpshme po e udhëheq Sali Berisha, e pas tij “turisti” i emëruar në krye të SHQUP.
Balla denoncon se Facebook-u i Sali Berishës është një makinë paniku që punon 24 orë me ligësi dhe këmbëngulje për të terrorizuar qytetarët.
Ai bën me dije se sapo është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, kallëzimi penal i deputetëve të Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga Neni 267 i Kodit Penal, kundër shtetasit Sali Berisha, i biri i Ram dhe Sheqere, i datëlindjes 15.10.1944 lindur në Tropojë e banues në Tiranë.
“Ne dhe publiku shqiptar kemi besimin se institucioni i Prokurorisë, në bashkëpunim me gjykatën dhe kushtëzimet proceduriale, do të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurim, dhe presim me vëmendjen maksimale dhënien rrugë të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse”, thotë më tej Balla.
Ai deklaron se çdo veprim i drejtësisë në respekt të ligjit, nuk është thjeshtë një përgjigje ndaj veprimeve të qëllimshme panikuese të të akuzuarit, por është edhe shprehje e ushtrimit të detyrës institucionale dhe qytetare në mbrojtje të jetës dhe sigurisë publike, si dhe të vlerave e parimeve të lirisë së fjalës, demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës .
Po ashtu shton se deputetët që kanë paraqitur kallëzimin, shprehin gatishmërinë për tu vënë dizpozicion të veprimeve hetimore në çdo moment, të bindur se Prokuroria do të angazhohet seriozisht për hetimin e të akuzuarit dhe për ta vënë atë para drejtësisë sipas kompetencave dhe procedurës së parashikuar nga ligji.