Arrestimi i avokatëve të Çilit, reagon Dhoma Kombëtare e Avokatisë: E paligjshme!

Operacioni “Mezhgorani”, vuri në pranga edhe dy avokatët Ilir Korbi dhe Betim Shkupi. Lidhur me arrestimin e tyre ka reaguar dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë e cila e konsideron këtë veprim të paligjshëm.

Sipas deklaratës, avokatëve u është mohuar çdo e drejtë ligjore me ndikim të drejtpërdrejtë në profesionin e tyre si juristë dhe mbrojtës të të drejtave demokratike.

Deklarata e plotë:

Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka ndjekur më vëmendje rastin e ndalimit të dy avokatëve Ilir Korbi dhe Betim Shkupi dhe ka ngritur shqetësimin e saj për sulmet ndaj profesionit të avokatit.

Ndalimi i paligjshëm i tyre duke i mohuar çdo të drejtë ligjore është një ndikim i drejtpërdrejtë në profesionin tonë si juristë dhe mbrojtës të garancive dhe të drejtave demokratike e kushtetuese të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe aktet e tjera të ratifikuara në sistemin tonë ligjor.

Organet e akuzës duhet të ndjekin dhe të veprojnë sipas përcaktimeve ligjore urdhëruese të saksionuara në Kodin e Procedurës Penale dhe të shmangin çdo akt apo veprim si:

dhunë verbale e përdorur për të arritur qëllimet e deponimit në kundërshtim me ligjin;
përgjimi i bisedave telefonike midis avokatit dhe klientit lidhur me mbrojtjen ligjore;
komentimi i opinioneve ligjore apo akteve proceduriale të firmosura nga avokatët në funksion të garantimit të të drejtave ligjore të klientëvetë tyre, etj.

Duke vepruar si më lart përmendur organet e akuzës shpien në asimilimin e të rolit me rolin e klientëve të tyre.

Profesioni i avokatit, nuk mund të konsiderohet thjeshtë një shërbim ligjor ndaj individëve apo entiteteve të ndryshme juridike. Avokati ka një rol të veçantë e të rëndësishëm dhe po aq delikat në një shoqëri të ndërtuar në respektim të shtetit të së drejtës.

Avokati është një e mirë publike, ndaj respektimi i funksionit profesional të tij është kusht esencial për shtetin e së drejtës dhe për demokracinë në një shoqëri.

Shpesh herë Dhoma Kombëtare e Avokatisë nëpërmjet deklarimeve për shtyp ka sjellë përpara opinionit publik interesin, mbështetjen, angazhinmin, sinergjitë e profesionit të avokatisë në funksion të themelimit të shtetit të së drejtës dhe mirë administrimit të sistemit të drejtësisë.

Përmes kësaj deklarate, Dhoma Kombëtare e Avokatisë shpreh solidaritetin e plotë për kolegët e ndikuar nga kufizimet serioze në të drejtat themelore të njeriut si avokatë ashtu si qytetarë të Republikës së Shqipërisë.


Shtuar 8.03.2020 13:54