Apartament e dhurata mijëra euro, zbardhet vendimi i KPK për gjyqtaren Elona Toro

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elona Toro, u konfirmua me shumicë votash në shkallën e parë të vetingut më 17 qershor të këtij viti, edhe pse vetë Komisioni ka qenë i ndarë në vendim, pasi Toro dha deklarata të ndryshme për pasurinë e saj.

Sipas rrjetit të gazetarëve investigativë të BIRN-it, anëtarja e Komisionit që votoi kundër, Etleda Çiftja, argumenton se personat përmes të cilëve ka justifikuar pasurinë Elona Toro nuk kanë pasur burime të mjaftueshme për dhuratat dhe huat. BIRN ka vënë në lupë të gjithë ecurinë e procesit të vetingut për gjyqtaren e Apelit të Tiranës.

Sipas anëtares së Komisionit të Vetingut, Çiftja, gjyqtarja Toro ka kryer deklarim të pasaktë për burimet e ligjshme të blerjes së një apartamenti me sipërfaqe 112.7 m2 në Tiranë, me vlerë 135 mijë euro dhe “nuk ka pasur burime të ligjshme për kryerjen e të gjitha pagesave”.

Çiftja shpjegon se Toro ka pasqyruar burime të ndryshme financiare në deklaratën veting, krahasuar me ato që ka specifikuar gjatë hetimit administrativ. Një tjetër kontestim i anëtares në pakicë të trupës lidhet me pamundësinë financiare të babait të gjyqtares për të krijuar vlerat prej 6 mijë eurosh dhe 4 mijë dollarësh në vitin 2005, që gjyqtarja pretendon se i janë dhuruar. Sipas Çiftes, babai rezulton me balancë negative prej 3 milionë lekësh dhe ka mungesë të ardhurash të ligjshme për disa dhurime në favor të fëmijëve.

Deklarimet e dyshimta
Po gjatë procesit është zbuluar mospërputhje për deklarimin e një huaje prej 45 mijë eurosh e marrë nga shtetasi me inicialet A.LL., mik i ngushtë me bashkëshortin e gjyqtares. Të gjitha justifikimet për blerjen e apartamentit janë rrëzuar nga zonja Çiftja.

“Në përfundim, në lidhje me analizimin e burimeve të blerjes së këtij apartamenti me sipërfaqe 112.7 m2 në Tiranë, unë si anëtare në pakicë, ndryshe nga shumica e trupit gjykues, dal në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit: i. nuk shpjegoi bindshëm burimin e ligjshëm të kësaj pasurie dhe të të ardhurave të ligjshme që kanë shërbyer për këtë qëllim; ka paraqitur në mënyrë të pasaktë këtë pasuri; dhe ka kryer deklarim të pamjaftueshëm sipas parashikimeve të nenit 33 të ligjit nr. 84/2016”.

Probleme me deklarimin ka pasur dhe me burimet e financimit të një automjeti të blerë në 2013. Në përfundim, anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja, vlerëson se gjyqtarja Elona Toro ka kryer deklarim të pamjaftueshëm e të pasaktë për kontrollin e pasurisë dhe se në bashkim me mangësitë profesionale, në vlerësimin tërësor të çështjes duhej të ishte shkarkuar nga detyra.

“Deklaratat noteriale të bëra gjatë hetimit dhe ato pas rezultateve të hetimit nga huadhënësi dhe familjarët e tij, ngelen vetëm në nivel deklarativ dhe nuk mund të marrin vlerë provuese”. Nga praktika e deritanishme, vendimet jounanime të marra në shkallën e parë të vetingut janë apeluar nga Komisioneri Publik. Afati i apelimit është 15 ditë nga zyrtarizimi i vendimit dhe deri në javën e parë të tetorit duhet që ky Komisioner të vihet në lëvizje. Nga verifikimet ka rezultuar se të ardhurat e realizuara ndër vite nga A.Ll. prej aktivitetit të tij privat për periudhën 1994-2007, janë në vlerën totale 11 milionë e 725 mijë lekë. Komisioni ka përllogaritur si fitim 20% të qarkullimit të deklaruar dhe për të cilin janë paguar detyrimet tatimore përkatëse.

Ndërkohë, A.Ll. ka përfituar paga për periudhën 2005-2009 në vlerën totale 806 mijë lekë. Shumica në Komision ka argumentuar se bazuar në parimin e proporcionalitetit, në vlerësim të informalitetit të kohës dhe të pretendimeve të huadhënësit për fitimin neto të realizuar nga aktiviteti i tij tregtar, ai duket se ka pasur burime financiare të ligjshme për të dhënë huan.

Gjithashtu janë pranuar shpjegimet se shpenzimet e huadhënësit janë mbuluar nga familjarët me të ardhurat nga shitja apo dhënia me qira e pasurive të patundshme. Ndërsa anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja, konsideron se huadhënësi A.Ll. nuk ka pasur mundësi financiare për dhënien e vlerës 45 mijë euro.

Sipas saj, nuk u vërtetuan me dokumentacion ligjor provues të drejtat e administrimit të të ardhurave dhe pasurive të babait të tij dhe për këtë arsye, nuk duhet të merren në konsideratë si të ardhura të ligjshme të huadhënësit. “Deklaratat noteriale të bëra gjatë hetimit dhe ato pas rezultateve të hetimit nga huadhënësi dhe familjarët e tij, ngelen vetëm në nivel deklarativ dhe nuk mund të marrin vlerë provuese”, konstaton Çiftja.


Shtuar 28.09.2020 12:33