ANTI-KÇK/ Soreca: Kjo strukturë e re duhet të punojë nën udhëheqjen e SPAK

Luigi Soreca, ambasadori i Bashkimit Europian ka komentuar për ligjin anti-KÇK dhe OFL-në duke thënë se është mënyrë efikase për të luftuar për krimin e organizuar.

“Ne besojmë që parimi “ndiq paranë” është mënyra efikase për të luftuar krimin e organizuar. Kjo tregon vullnetin politik për ta trajtuar atë problem. Megjithatë mënyra sesi do të zbatohet ky ligj është shumë e rëndësishme dhe ne po e ndjekim nga afër zbatimin e këtij ligji”, tha Soreca.

Në deklaratën për mediat nga qyteti i Vlorës, Soreca shtoi se struktura e re e policisë duhet të funksionojë dhe të punojë nën udhëheqjen e SPAK.

“Është shumë e rëndësishme që kjo strukturë e re të ndjekë jo vetëm parimet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit por gjithçka që ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut. Po ashtu është shumë e rëndësishme që kjo strukturë e re të funksionojë dhe të punojë nën udhëheqjen e SPAK”, tha Soreca.

Ambasadori i BE-së shtoi se zbatimi i këtij ligji po ndiqet nga afër, duke theksuar se është në kontakt me Ministrinë e Brendshëm dhe javën e ardhshme do të takohet me udhëheqësit e SPAK.


Shtuar 6.02.2020 16:10