Anëtarja e Europa Nostra: Teatri nuk është hequr nga lista e monumenteve as sot!

Teatri Kombëtar u shemb nga qeveria Rama në një kohë që organizata prestigjioze “Europa Nostra” e kishte marrë në mbrojtje, pas përzgjedhjes si një nga “7 monumentet më të rrezikuar në Europë”.

Për të legjitimuar rrënimin e këtij objekti, së fundmi kemi dëgjuar tentativat e autorëve të rrënimit, për të zbehur rolin e kësaj organizate.

Kujtojmë këtu ironinë e Kryemnistrit Rama para shembjes së Teatrit: “Këtë vend nuk e qeveris as “Europa Nostra” as “Amerika Vostra”, por shumica.

Të njëjtën logjikë përsëriti edhe Erjon Veliaj kur tha se: “Europa Nostra” është OJF. Ata japin opinione, ne marrim vendime”. Funksionin e kësaj organizate e qartëson arkitektja Lida Miraj, anëtare e Këshillit të Europas, prej vitit2012.

“Është institucioni më autoritar i trashëgimisë kulturore, që mbron objektet me rëndësi në të gjithë Europën dhe në të operojnë personalitetet më të njohura të fushës në Europë”, thotë arkitektja, duke sjellë më pas në vëmendje një tjetër rast, ku kjo organizatë ka pasur mosakordancë me qeverinë shqiptare.

Ishte viti 2013 dhe në pushtet ishte Partia Demokratike, me Kryeministër Sali Berishën, kur për realizimin e projektit që “Europa Nostra” kishte bërë për Amfiteatrin E Durrësit, Ministria e Kulturës, asokohe, hapi probleme.

Mirëpo, ndonëse kësaj here Kryeministri Rama nuk e pa me rëndësi fjalën dhe argumentet e kësaj organizate, asokohe, pasi erdhi në pushtet, ndryshe nga qeveria Berisha, bëri të pamundurën për realizimin e tij.

Arkitektja tregon më tej se si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit aplikoi në këtë organizatë, mënyrën se si Teatri do restaurohej dhe nëse Rama e Veliaj i kthyen ndonjëherë përgjigje letrave zyrtare, që “Europa” u nisi për mosshembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Zonja Miraj, prej 23 vitesh jeni pjesë e “Europa Nostra-s”. Mund të na e shpjegoni më qartë rolin dhe peshën e kësaj organizate në trashëgiminë kulturore ndërkombëtare?

Gjatë kësaj kohe, kam dëgjuar, të jepen informacione nga më të ndryshmet për “Europa Nostra-n”,

Mirëpo, duhet theksuar se kjo organizatë është institucioni më autoritar i trashëgimisë kulturore, që mbron objektet me rëndësi në të gjithë Europën. Në “Europa Nostra” bëjnë pjesë profesorët më të nderuar të Europës, të cilët kanë një nivel shumë të lartë profesional. Presidenti Ekzekutiv është profesor Hermann Parzinger, arkeolog, shkruan faxweb.

Ndërsa presidenti i nderit është Placido Domingo. Anëtarët e bordit, janë të gjithë figura të shquara të trashëgimisë kulturore të Europës. Unë bëj pjesë në këtë organizatë që prej vitit 1997, që kur u thirra për herë të parë për të bërë një prezantim për Butrintit. Dhe qysh në atë kohë, u impresionova nga përbërja e këtij institucioni. Jam në këshillin e “Europa Nostra-s”, prej vitit 2012.


Shtuar 20.05.2020 15:06