A mund ta mposhtim COVID-19?

Viruset janë agjentët infektivë më të vegjël që variojnë nga 20 deri në 300 nm (1 nano metër është një e milionta e milimetrit). Ata kanë gjenoma të thjeshta ADN-je ose ARN-je të gjendura në mbështjella proteinike, të cilat rrethohen nga një membranë yndyrore.

Viruset në mjedis janë pa jetë dhe që marrin jetë kur bujtojnë në qeliza të gjalla duke u shndërruar në “parazitë” të tyre në nivelin gjenetik. Virusi ka aftësi më pas të programojë qelizën ku bujton, të prodhojë molekula të reja të virusit duke çuar në formimin e shumë viruseve po në këtë qelizë. Më pas këto viruse infektojnë qeliza të tjera normale duke i pushtuar, parazituar dhe përdorur për llogari të tyre.

CoronaVirus është pjesë e familjes Coronavidae me ngajshmëri me viruse të tjera të kësaj familjeje të cilët prekin kryesisht rrugët respiratore, gastrointestinale dhe urogjenitale, ku më i njohuri i tyre në vitet e fundit është SARS-i (Severe Acute Respiratory Syndrome) pra një sindromë akute shumë e rëndë respiratore.

Cikli i infektimit dhe riprodhimit të viruseve kalon në 3 faza:

1. Ngjitja në qelizat e gjalla.

2. Ndërfutja në qelizë.

3. Zhveshja e kapsulës dhe dërgimi i materialit gjenetik për shumim në qelizën bujtare.

Si mund ta ndalim ngjitjen e viruseve në qelizat tona?

Viruset si CoronaVirus mund ti marrim me anë të piklave të pështymës ose të aerosoluara. Më pas ai ngjitet në sipërfaqe si lëkurë, mukozën e trakteve respiratore ose gastrointestinale dhe konjuktiva të syve.

Mbrojta e parë dhe më e rëndësishmja është parandalimi.

Për të mos lejuar marrjen dhe ngjitjen e një virusi në qelizat tona trupore me patjetër duhet:

· Në situata epidemike të vetëkarantinohemi.

· Të mbajmë distancë nga njerëzit.

· Të përdorim në mjedise publike maska dhe doreza për duart.

· Pasi jemi ekspozuar në mjedisin e jashtëm kurrsesi të mos prekim pjesën e fytyrës ose zonave të tjera trupore.

· Të lajmë sa më shpesh zonat e ekspozuara (duar, parakrah ose fytyrë).

· Kur të kthehemi nga mjedisi i jashtëm rrobat ose vendosen të veçuara nga të tjerat ose lahen sa më shpesh.

· Të minimizojmë prekjen e objekteve ose sendeve të pa nevojshme.

Nëse ka ndodhur ngjitja ose ndërfutja në qelizë e virusit çfarë bën trupi ynë?

Qëllimi kryesor i trupit të infektuar është të eliminojë drejtpërdrejtë virusin e ngjitur në qeliza ose të eliminojë qelizat që e kanë futur brenda atë. Eleminimi i drejtpërdrejtë i viruseve të ngjitur, realizohet me anë të antitrupave, veçanërisht antitrupit të sekrecioneve të shtresave mukozale, i njohur si IgA (Imunoglobulina A), e prodhuar nga leukocitet e gjakut (specifikisht limfocitet 😎. Këta antitrupa veprojnë kundër viruseve në këto mënyra:

· Parandalojnë absorbimin e virusit në qelizat mukozale të njeriut.

· Sëbashku me disa proteina të prodhuara nga mëlçia (proteinat e komplementit) shkaktojnë çarje dhe shkatërrim të viruseve.

· Parandalojnë lëshimin e viruseve të rinj nga qelizat e infektuara.

Nga ana tjetër nëse një qelizë është infektuar me virus, qeliza të imunitetit të lindur Natyral Killer NK dhe Limfocitet T gjejnë dhe i shkatërrojnë këto qeliza duke mos lejuar përparimin më tej të përhapjes së virusit.

Çfarë bën trupi ynë për të parandaluar futjen e materialit gjenetik virusal në ADN-në e qelizave tona, sintezën e proteinave të tyre e më pas shumimin e viruseve?

Nga qeliza e infektuar me virus dërgohet nje molekulë “lajmëtare” (Interferoni), për të lajmëruar qelizat e tjera të shëndetshme për praninë e tij dhe që ato të aktivizojnë gjëndjen antivirale. Gjëndja antivirale e qelizave të shëndetshme, është frenimi i sintezës së çdo lloj proteine, si rrjedhojë dhe atyre virusale (nëse do infektohen nga ky virus), për një periudhë kohe deri në eliminimin e tij.

A mund ta kuptojmë nëse jemi të infektuar nga një virus?

Evans në 1998 ka sjellë konceptin e ajsbergut në lidhje me prezantimin dhe infektimin nga virusi.

Ø Baza e ajsbergut është faza e parë e padukshme të prezantimit me virusin, ku ai ose nuk ngjitet në qelizat bujtare ose e pushton një qelizë por pa e infektuar atë.

Ø Sipër bazës gjendet shtresa e dytë e ajsbergut e padukshme dhe kjo, ku virusi infekton qelizën por nuk sjell ndryshime të dukshme, ose ka maturim të paplotë të virusit. Ky është një infeksion pa simptoma klinike.

Ø Shtresa e tretë e ajsbergut është maja e tij e dukshme. Kjo është faza e tretë ku virusi është futur në qelizë, e ka transformuar atë dhe e përdor për llogari të tij duke u “shumuar” në të. Kjo fazë paraqitet në dy drejtime:

1. Sëmundje me simptoma të lehta ose të mesme

2. Sëmundje me simptoma të rënda të cilat pa trajtim mund të çojnë në pasoja fatale.

Këto simptoma tashmë për CoronaVirus janë të njohura.

Çfarë mund ta largojë këtë pandemi?

Si çdo gjë në këtë botë që ka fazat e veta, ajo e zhvillimit, periudhës stacionare e më pas të shuarjes edhe viruset i kalojnë këto tre faza. Ne jemi në fazën e rritjes së virusit, por nëse do të respektojmë me korrektësi veprimet parandaluese, mund ta çojmë virusin në fazën e tij stacionare që shumë shpejt të fillojë faza e shuarjes.

Një fakt interesant dhe shpresëdhënës është se viruset pësojnë mutacione të cilat njihen si mutacione letale. Këto mutacione në gjenet esenciale të viruseve ndodhin herë pas here kur virusi shtohet ne qeliza të ndrsyhme të një bujtari ose transmetohet dhe shtohet në qelizat e bujtarëve të tjerë. Këto viruse mund të shndërrohen pas mutacioneve në:

1. Mutantë që humbasin aftësinë infektuese (shkaktojnë infeksione më pak serioze në njerëz, faza e dytë e ajsbergut).

2. Mutantë të kushtëzuar (mutantë të ndjeshëm ndaj rritjes së temperaturës).

Çfarë e promovon imunitetin e njeriut?

Faktorët e rëndësishëm të cilët duhën pasur kujdes në vzhdimësi në stlin tonë të jetesës dhe që promovojnë imunitetin janë:

1. Shëndeti i kthjellët mendor dhe largimi i stresit. Pasi dihet që stresi është faktori kryesor për bllokimin e rrugëve metabolike normale të trupit tonë duke çrregulluar balancën fiziologjike të sistemeve trupore. Një nga këto sisteme që preken është dhe sistemi imunitar, duke sjellje ulje të vigjilencës dhe mbrojtjes imunitare ndaj viruseve dhe jo vetëm.

2. Aktivitet i vazhdueshëm fizik sepse sistemi imunitar, organet dhe enët e tij janë të lidhura ngushtësisht me sistemin e qarkullimit të gjakut dhe lëvizja dhe shpërndarja e qelizave ose lëndëve imunitare është e mundur më shpejt në njësi kohe në individët që bëjnë aktivitet fizik. Tkurrja dhe lëshimi i shpeshtë i muskujve skeletorë dhe atyre të frymëkëmbimit (diafragmë, muskuj ndërbrinjor) sjell rritje të qarkullimit të qelizave dhë lëndëve imunitare.

3. Ushqimi i duhur cilësor dhe sasior. Në gjëndje normale trupi ka nevojë për sasi të duhura sasiore dhe cilësore të sheqernave, yndyrnave, proteinave, vitaminave, mineraleve dhe ujit. Nëse në vazhdimësi ushqejmë trupin tonë me elemnte të zgjedhura ushqyese do e kemi më të lehtë të luftojmë patogjenë të ndryshëm, në mënyrë të veçantë viruset.

Eshtë gjithashtu e rëndësishme të dimë se ne ndërtojmë një sistem të fortë imunitar duke ruajtur zakone të shëndetshme të ushqyerjes me kalimin e kohës. Një kategori shumë e rëndëssihme e metaboliteve ushqimore janë dhe vitaminat, kryesisht ato C, B6 dhe E.

Trupat tanë nuk e sintetizojnë vitaminën C, por ne kemi nevojë për atë për sistemin imunitar, strukturën e kockave, thithjen e hekurit dhe lëkurën e shëndetshme. Vitamina C është një nga nxitësit më të mëdhenj të sistemit imunitar ajo është e njohur si një superstar imuniteti. Burimet e vitaminës C janë të bollshme dhe shtrihen përtej lëngut gjithnjë të popullarizuar të portokallit.

Shumë fruta dhe perime na furnizojnë me këtë vitaminë jetike. Burimet e vitaminës C përfshijnë agrume, domate, patate, luleshtrydhe, speca jeshile dhe të kuq zile, brokoli, dhe kivi. Është mirë që këto ushqime të konsumohen të papërpunuara ose të gatuara, pasi është e rëndësishme të theksohet se frutat dhe perimet humbasin vitaminën C kur nxehen ose ruhen për periudha të gjata kohe.

Vitamina B6 është jetike për të mbështetur reaksionet biokimike në sistemin imunitar. Ushqimet e pasura me vitaminë B6 përfshijnë mishin e pulës, salmon dhe ton. Vitamina B6 gjithashtu gjendet në perimet e gjelbërta.

Vitamina E është një antioksidant i fuqishëm që ndihmon trupin të luftojë infeksionin. Ushqimet e pasura me vitaminë E përfshijnë arroret, farat e ndryshme dhe spinaqi.

4. Një faktor i rëndësishëm në mbrojtjen dhe rritjen e imunitetit mund të jetë dhe ndejtja për disa orë pa ngrënë e pa pirë (agjërimi) për disa ditë rresht. Është vërtetuar që gjatë kohës kur organizmi qëndron pa marrë suplementet ushqyese ai e kthen vigjilencën dhe qëllimin në shkatërrimin e qelizave të panevojshme të trupit për ti përdorur si burim energjitik, si psh. qeliza kancerogjene ose qeliza të infektuara. Gjithashtu përgjatë ndejtjes për disa orë pa ushqim qelizave i dërgohet sinjal që të frenojnë sintezën proteinike, e ngjashme kjo me veprimin e intereferonit në bllokimin e sintzës së proteinave virusale.

Pedagog i Imunologjisë

Biolog Molekular, Eldores Sula.


Shtuar 15.03.2020 10:01