A do të ulen pagat dhe pensionet për të dalë nga kriza? Përgjigjet ministrja

Ministrja e Financave, Anila Denaj, duke iu referuar propozimeve të ish-ministrit Ilir Beqaj për të ulur pagat dhe pensionet, që vendi të dalë nga kriza ekonomike, u shpreh se në qeveri s’ka asnjë diskutim të tillë. Në emisionin “Opinion”, Denaj tha se çdo deputet është i lirë të bëjë propozimet e veta.

“Nuk ka një diskutim të tillë, çdo deputet është i lirë të bëjë propozimet e tij. Ne do të ishim shumë të kujdesshëm të preknim pagat.

Ç’ka është duke u menduar, është trajtimi që do të shohim për gjatë gjithë kohës, jo vetëm për këto muaj, sepse administrata publike do të ridimensionojë edhe pjesën e punës nga shtëpia. Nuk ka një diskutim konkret për të thënë që kjo është një alternativë.

Në fund të majit dhe në fillim të qershorit, grupi i punës do të shohë ku jemi në raport me të ardhurat.

Dhe do të shohim shpenzimet. Nëse marrim hierarkinë e shpenzimeve, kjo nuk do të ishte e para, madje do të ishte e fundit”, u shpreh ministrja Denaj.


Shtuar 28.04.2020 21:53