A do të dalë në tubimin e 2 Marsit Rudina Hajdari?
Rudina Hajdari është shprehur se thirrja e Presidentit Ilir Meta, për të mbajtur një tubim më 2 mars, me qëllim për të respektuar Kushtetutën, nuk është e sinqertë, sipas saj.
“Atë Kushtetutë e kanë bërë leckë, e kur ka ardhur koha ta mbrojnë Kushtetutën kanë thënë që për hir të demokracisë duhet anashkaluar Kushtetuta”, – tha ajo.
“Ndaj është e vështirë sot të besohet që kauzat janë të drejta. Kanë 29 vite që kanë të njëjtën sjellje politike”, shtoi Rudina Hajdari, duke u distancuar ajo dhe grupi parlamentar nga thirrja e tubimit të 2 marsit.
Reagimi i plotë i Rudina Hajdarit:
Mendoj se Kushtetuta është tepër e shenjtë, dhe nuk ka më të shenjtë se Kushtetuta!
Kushtetuta është shkelur që me marrëveshjen e 2008, ku me ndryshimet e bëra, ua kanë hequr të drejtën qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe deri te mënyra se si kanë bërë ligjin e referendumit e deri te mënyra se si funksionojnë partitë sot në formë autoritare.
Pra, të gjitha këto shkelin parimet bazë të Kushtetutës dhe këto i ka prodhuar politika e vjetër në Shqipëri.
Kështu që, si personi që e thërret atë protestë, si ai person që e mbështet, si dhe ai që kanë përballë, e kanë shkelur atë Kushtetutë.
Personat që e kanë bërë këtë Kushtetutë leckë, janë ata që e kanë shkelur.
Shqiptarët nuk i besojnë më. Kushtetuta po përdoret për të nxjerrë njerëzit në tubim dhe në fund nuk arrihet asgjë.
Ata që thërrasin këtë protestë janë vetë ata që e kanë sjellë vendin në këtë derexhe. Kemi një Kushtetutë që është cënuar, dhe ky fakt është i trishtë, por janë këta persona që e kanë sjellë situatën këtu ku jemi.
Atë Kushtetutë e kanë bërë leckë, e kur ka ardhur koha ta mbrojnë Kushtetutën kanë thënë që për hir të demokracisë duhet anashkaluar Kushtetuta.
Ndaj është e vështirë sot të besohet që kauzat janë të drejta. Kanë 29 vite që kanë të njëjtën sjellje politike.
Kushtetuta sot duhet të mbrohet, dhe kjo nuk ka asnjë dyshim. /albeu.com/