8 persona humbën jetën nga gripi në Greqi, çfarë thonë mjekët

Rritja dramatike e numrit të sëmurëve me grip në 15 ditët e para të këtij viti është vërtet e lartë, por e pritshme theksojnë specialistët e shëndetit pasi tetë persona kanë humbur jetën prej 6 Janarit në Greqi.

Përveç viktimave janë 28 personat që po marrin trajtim mjekësor si pasojë e komplikacioneve të rënda në repartet e reanimacionit. Mjeket japin alarmin për vaksinim sa më të shpejtë sidomos të grupmoshave me rrezikshmëri të lartë, si fëmijët dhe të moshuarit. Mjekët konfirmuan për mediat se 8 viktimat dhe 28 të tjerë të prekur nga virusi bënin pjesë në grupin e personave të pavaksinuar.

Agjensia europiane e shëndetit, në muajin dhjetor paralajmëroi për përhapjen e virusit të gripit H1N1 , duke u bërë thirrje zyrtarëve dhe gjithë sistemit shëndetësor të jenë në gatishmëri. Perhapja e virusit favorizohet nga kushtet klimatike. Specialistet gjithashtu paralajmerojnë se virusi në fjalë do të ketë një përhapje edhe më të madhe në ditët në vijim pasi periudha e virozave zgjat zakonisht deri në fund të marsit.

Vitin e kaluar në Greqi humbën jetën nga gripi i tipit A dhe komplikacionet që ai shkakton të paktën 152 persona.


Shtuar 17.01.2020 11:56